Policia në Zvicër shqyrton ndalimin e skuterëve elektrikë, pas rritjes së aksidenteve dhe lëndimeve të rënda

Policia në Zvicër shqyrton ndalimin e skuterëve elektrikë, pas rritjes së aksidenteve dhe lëndimeve të rënda

Written by

in

Autoritetet në Zvicër kanë shtuar kontrollet ndaj skuterëve elektrikë dhe biçikletave elektrike, veçanërisht atyre që drejtohen nga të miturit ose janë modifikuar për të zhvilluar shpejtësi më të mëdha. Në qytetin e Dietikonit, në kantonin e Cyrihut, policia ka nisur kontrolle të posaçme, ndërsa në nivel federal po shqyrtohen masa më të rrepta për përdorimin e këtyre mjeteve.

Rritja e numrit të aksidenteve me skuterë elektrikë ka ngritur shqetësimin e autoriteteve zvicerane. Sipas të dhënave të publikuara në Zvicër, numri i aksidenteve me këto mjete është rritur nga 91 në vitin 2019 në 730 gjatë vitit të kaluar. Vetëm gjatë vitit 2025, tre persona kanë humbur jetën në aksidente me skuterë elektrikë, ndërsa një në pesë persona të përfshirë në aksidente ka pësuar lëndime të rënda, raporton Blick.

Përballë kësaj situate, policia e Dietikonit ka intensifikuar kontrollet në rrugë, duke u fokusuar kryesisht te të rinjtë që përdorin skuterë elektrikë pa i plotësuar kushtet ligjore, si dhe te automjetet me dy rrota që janë modifikuar për të tejkaluar kufijtë e lejuar të shpejtësisë.

Gjatë një kontrolli pranë shkollës Wolfsmatt, policia ndaloi edhe një vajzë 13-vjeçare, e cila po drejtonte një skuter elektrik që i përkiste nënës së saj. Meqenëse ishte nën moshën e lejuar, skuteri iu konfiskua përkohësisht, ndërsa nëna e saj u njoftua nga autoritetet.

Shefi i policisë së Dietikonit, Marco Bisa, thotë se situata është bërë gjithnjë e më shqetësuese, pasi në rrugë po shihen gjithnjë e më shumë të rinj me skuterë elektrikë dhe biçikleta elektrike që zhvillojnë shpejtësi të larta.

“Ne shohim shumë të rinj të plagosur rëndë. Përfundimisht do të ketë edhe viktima këtu”, ka paralajmëruar ai, duke kërkuar masa më të ashpra për sigurinë në trafik.

Policia kërkon helmetë dhe targa të detyrueshme

Shefi i policisë së Dietikonit kërkon që për skuterët elektrikë dhe biçikletat elektrike të vendosen rregulla më të rrepta, përfshirë mbajtjen e detyrueshme të helmetës dhe pajisjen me targa.

Sipas tij, masat parandaluese nuk janë më të mjaftueshme dhe nevojitet zbatim më rigoroz i ligjit, transmeton Telegrafi.

Kontrollet kanë zbuluar edhe skuterë të modifikuar që tejkalojnë shumëfish shpejtësinë e lejuar. Gjatë një matjeje në stacionin policor, një skuter që duhej të lëvizte me maksimum 20 kilometra në orë rezultoi se arrinte shpejtësinë prej 47 kilometrash në orë.

Ndërkohë, në tetor të vitit 2025, policia e qytetit të Cyrihut kishte identifikuar një skuter elektrik të modifikuar që arrinte deri në 110 kilometra në orë.

Edhe autoritetet federale shqyrtojnë masa të reja

Çështja tashmë është ngritur edhe në nivel të Parlamentit Federal të Zvicrës.

Deputeti Matthias Jauslin ka kërkuar që skuterët elektrikë të trajtohen në mënyrë të ngjashme me motoçikletat e vogla, duke propozuar helmetë dhe targa të detyrueshme, kontroll teknik dhe ndalimin e transportimit të më shumë se një personi në një mjet.

Edhe Këshilli Federal pritet të shqyrtojë vitin e ardhshëm mundësinë e vendosjes së detyrimit për përdorimin e helmetave dhe masa për të parandaluar modifikimin e paligjshëm të skuterëve elektrikë.

Megjithatë, qeveria zvicerane nuk e sheh aktualisht të nevojshme që këto mjete t’i nënshtrohen detyrimit për targa dhe kontrolle teknike, duke vlerësuar se kjo do të krijonte barrë shtesë administrative.

Ndërkohë, të dhënat e Prokurorisë për të Mitur në Cyrih tregojnë se është rritur edhe numri i rasteve të shkeljeve të ligjit nga të rinjtë që përdorin këto mjete. Në vitin 2025, 29.5 për qind e të miturve të dënuar për shkelje të lidhura me trafikun kishin kryer vepra që përfshinin skuterët elektrikë, krahasuar me 16.6 për qind në vitin 2023.

Autoritetet zvicerane po përballen kështu me presionin për të vendosur rregulla më të forta, në një kohë kur skuterët elektrikë janë bërë gjithnjë e më të pranishëm në rrugë, por edhe burim i shtuar rreziku për sigurinë e përdoruesve dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik./Telegrafi/