Në kryeqytetin shqiptar po zhvillohen dy protesta: njëra e organizuar nga studentët, pedagogët dhe të rinjtë para Ministrisë së Arsimit, ndërsa tjetra e thirrur nga Partia Demokratike para Kryeministrisë.
Protesta studentore po mbahet prej 19 ditësh, ndërsa Partia Demokratike ka organizuar tubimin e saj të dytë kombëtar, duke shprehur mbështetje për kërkesat e studentëve.
Megjithatë, përpjekjet për bashkimin e dy protestave janë shoqëruar me tensione, pasi studentët nuk kanë lejuar që protestuesit e Partisë Demokratike t’i bashkohen tubimit të tyre.
Gjatë pasdites, situata para Ministrisë së Arsimit është përshkallëzuar. Sipas raportimeve të mediave shqiptare, disa protestues të maskuar kanë hedhur molotovë, gurë dhe mjete të tjera në drejtim të policisë. Më herët, janë djegur kosha mbeturinash dhe kartonë, ndërsa janë hedhur edhe kapsolla e janë përdorur llastiqe kundër forcave të rendit.
Policia ka ndërhyrë me ujë me presion për të shpërndarë protestuesit dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Pas ndërhyrjes së policisë dhe reshjeve të shiut, një pjesë e protestuesve janë larguar nga zona para Ministrisë së Arsimit, në drejtim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka deklaruar se protestuesit duhet të përqendrohen te qëllimi i përbashkët politik. Ai ka thënë se PD-ja solidarizohet me studentët dhe se synimi i protestës së opozitës është largimi i kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike.
Të shtunën, protestuesit e Partisë Demokratike janë mbledhur para Kryeministrisë, ndërsa studentët kanë vazhduar protestën e tyre para Ministrisë së Arsimit.
Burimi: RTKLive
