
Basketbollisti amerikan i Rahovecit 029, Mika Adams-Woods, është shpallur lojtari më i vlefshëm i muajit tetor në ProCredit Superligën e Kosovës.
Adams-Woods e pranoi çmimin të shtunën, para ndeshjes ndërmjet Rahovecit 029 dhe Golden Eagle Yllit, pas paraqitjeve të mira në ndeshjet e para të këtij edicioni.
Amerikani kishte marrë vlerësimin edhe si lojtari më i vlefshëm i xhiros së gjashtë, pas një paraqitjeje mbresëlënëse ndaj Vëllaznimit, ku realizoi 37 pikë, shtatë kërcime dhe gjashtë asistime, me indeks efikasiteti 31.
Në pesëshen më të mirë të asaj xhiroje u përfshinë edhe Dwight Wilson i Pejës, Ja’cori Payne i Trepçës, Shanon Shorter i Bashkimit dhe Laolu Oke i Borës.
Ndërkohë, Dwight Wilson regjistroi indeksin më të lartë të efikasitetit në këtë pesëshe, me 40, falë 27 pikëve, 16 kërcimeve dhe tri asistimeve.
Çmimi i muajit tetor është një tjetër vlerësim për Adams-Woodsin, i cili është ndër lojtarët kryesorë të Rahovecit 029 në këtë fillim të sezonit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali