
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi për tremujorin e tretë të vitit 2026, ku është evidentuar një rritje e lehtë e çmimeve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore në tremujorin e tretë të këtij viti ka shënuar rritje prej 1.4 për qind, krahasuar me TM3 të vitit 2025.
Rritje është regjistruar si te prodhimet bimore, ashtu edhe te ato blegtorale. Indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore është rritur për 0.8 për qind, ndërsa ai i prodhimeve blegtorale për 3.1 për qind.
Të dhënat janë mbledhur në tregje, ferma dhe vende të tjera ku tregtohen prodhimet bujqësore vendore.
Në grupin e prodhimeve bimore përfshihen drithërat, bimët foragjere, perimet, patatet dhe pemët. Ndërkaq, te prodhimet blegtorale janë përfshirë kafshët si gjedhet, delet, derrat dhe pulat, si dhe produktet si qumështi, vezët dhe mjalti.
ASK ka bërë të ditur se çmimet janë llogaritur në euro, ndërsa njësitë matëse të përdorura janë kilogrami, litri dhe copa.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali