Policia e Kosovës ka raportuar për gjashtë raste të dhunës në familje në lokacione të ndryshme të vendit, gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rastet janë evidentuar në Prishtinë, Podujevë, Viti, Pejë dhe Deçan.
Në Prishtinë janë raportuar dy raste. Në njërin, një person dyshohet se në gjendje të dehur kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij, duke e ofenduar me fjalë të ndryshme. Në rastin tjetër, një person dyshohet se kishte kanosur dhe ofenduar babanë e tij pas një mosmarrëveshjeje lidhur me shitjen e një pajisjeje për pastrimin e pishinës.
Ndërkaq, në Podujevë është arrestuar një shtetas i Shqipërisë, i dyshuar për sulm fizik ndaj motrës së bashkëshortes së tij. Një rast i ngjashëm i kanosjes është raportuar edhe në Viti, ku një person dyshohet se kishte kërcënuar babanë e tij.
Në Pejë janë raportuar dy raste të dhunës në familje. Në njërin prej tyre, përveç dhunës fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes dhe kanosjes nga vjehrri, gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, dy karikatorë dhe 252 fishekë. Dy persona janë arrestuar, ndërsa njëri është dërguar në mbajtje dhe tjetri është liruar në procedurë të rregullt.
Në rastin tjetër në Pejë, një person dyshohet se në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes, duke e kanosur me fjalë të ndryshme.
Ndërsa në Deçan, një person është arrestuar nën dyshimin për ushtrim të vazhdueshëm të dhunës psikike ndaj familjarëve të tij.
Në shumicën e rasteve, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për rastet e tjera janë duke vazhduar.
Burimi: Dukagjini
