
Një qëndrim në bujtinën “NORA”, në fshatin Zym të Prizrenit, ka përfunduar tragjikisht për një 67-vjeçar, i cili është gjetur pa shenja jete brenda tualetit të objektit. Burri kishte hyrë në tualet dhe kishte mbyllur derën, por kalimi i kohës pa asnjë përgjigje ndaj thirrjeve të miqve të tij ka ngritur shqetësimin se diçka e rëndë mund të kishte ndodhur.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se viktima është Ilmi Cani, 67 vjeçar, i cili është gjetur i pajetë në orët e para të mëngjesit të së dielës, më 1 nëntor, në bujtinën “NORA” në Zym.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rreth orës 01:20 është raportuar se një mysafir i bujtinës kishte hyrë në tualet, e kishte mbyllur derën dhe nuk po u përgjigjej thirrjeve të personave që ndodheshin me të.
Të shqetësuar nga mungesa e reagimit, miqtë e tij kanë arritur ta hapin derën e tualetit.
Aty janë përballur me një pamje të rëndë: 67-vjeçari ndodhej i shtrirë në dysheme, pa reaguar.
Pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur njësitë policore dhe ekipi i Emergjencës.
Personeli mjekësor ka ekzaminuar viktimën dhe ka konstatuar vdekjen e tij.
Në bujtinë kanë dalë më pas edhe hetuesit rajonalë të Prizrenit dhe njësia e forenzikës, të cilët kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe veprimet e nevojshme për dokumentimin e rastit.
Me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, trupi i pajetë i Ilmi Canit është marrë nga ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe është dërguar në Prishtinë për autopsi.
Rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa shkaku i vdekjes ende nuk është përcaktuar.
Pritet që ekzaminimet mjekoligjore dhe hetimet përkatëse të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të vdekjes së 67-vjeçarit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali