
Një informatë e siguruar nga Policia ka çuar në zbulimin e pesë armëve të zjarrit, municionit dhe pajisjeve të tjera në një hambar në fshatin Kleçkë të Zubin Potokut. Mes armëve të gjetura ishte edhe një automatike e prodhimit jugosllav, me numër serik të dëmtuar, ndërsa personi që dyshohet se lidhet me to nuk është gjetur gjatë ndërhyrjes policore.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se personi i dyshuar është Bogomir Lukovic, 67 vjeçar, i cili nuk është hasur në shtëpi gjatë kontrollit të kryer nga njësitë policore.
Ngjarja ka ndodhur të shtunën, më 31 tetor, rreth orës 15:10, kur Njësia e Reagimit të Shpejtë e Policisë në veri, duke vepruar mbi bazën e një informacioni, ka shkuar në fshatin Kleçkë.
Gjatë kontrollit të hambarit, policët kanë zbuluar disa armë të llojeve të ndryshme, të vendosura brenda objektit.
Mes tyre ishte një armë automatike e prodhimit jugosllav me numër serik të dëmtuar, si dhe një pushkë gjuetie e prodhimit rus, pa numër serik.
Përveç këtyre, janë gjetur edhe një pushkë gjuetie gjysmautomatike, një pushkë gjuetie dytytëshe dhe një pistoletë e tipit TT, me karikator të zbrazët.
Në të njëjtin lokacion janë sekuestruar edhe 33 fishekë për armë të gjatë, dy karikatorë të zbrazët për armë të gjatë, një këllëf me optikë, dy doreza për armë të shkurtër dhe pajisje për mbajtjen e armëve.
Pas zbulimit, në vendngjarje kanë dalë njësitë e Stacionit Policor në Zubin Potok dhe hetuesit rajonalë të Mitrovicës së Veriut, të cilët kanë sekuestruar armët, municionin dhe sendet e tjera të gjetura.
Gjatë veprimeve policore është gjetur edhe një certifikatë, për të cilën dyshohet se i përket Bogomir Lukovicit.
Megjithatë, ai nuk është gjetur në shtëpi dhe, deri në atë fazë të veprimeve policore, nuk ishte marrë deklarata e tij.
Lidhur me zbulimin është njoftuar Prokuroria e Shtetit, e cila ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ende nuk është përcaktuar pronësia e armëve dhe lidhja e tyre me personin e dyshuar.
Hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali