Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në Kosovë gjatë datave 30 dhe 31 tetor, në Prishtinë, Podujevë, Viti, Pejë dhe Deçan. Në mesin e tyre ka pasur raste të dhunës fizike e psikike, kanosjes dhe ofendimeve ndaj familjarëve.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, në Prishtinë janë evidentuar dy raste. Në të parin, një person është arrestuar nën dyshimin se, në gjendje të dehur, kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes, duke e ofenduar vazhdimisht. Në rastin tjetër, një person dyshohet se kishte kanosur dhe ofenduar babanë e tij pas një mosmarrëveshjeje për shitjen e një pajisjeje për pastrimin e pishinës. I dyshuari nuk është hasur nga policia.
Në Podujevë është arrestuar një shtetas i Shqipërisë, i dyshuar për sulm fizik ndaj motrës së bashkëshortes së tij, ndërsa në Viti një person është ndaluar pasi dyshohet se kishte kanosur babanë pas një konflikti familjar.
Edhe në Deçan është arrestuar një person, i cili dyshohet se për një periudhë të vazhdueshme kishte ushtruar dhunë psikike ndaj familjarëve. Sipas policisë, ai kishte marrë pa dijeninë e prindërve veturën e familjes dhe një trotinet elektrik, të cilin më pas e kishte shitur.
Dy raste të tjera janë raportuar në Pejë. Në njërin prej tyre, një grua ka raportuar se për një kohë të gjatë ishte përballur me dhunë fizike dhe psikike nga bashkëshorti, si dhe me kanosje nga vjehrri.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarve, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, dy karikatorë dhe 252 fishekë, si dhe një leje valide për armë. Të dy personat janë arrestuar. Njëri është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.
Në rastin e dytë në Pejë, një grua ka raportuar për kanosje dhe dhunë të vazhdueshme psikike nga bashkëshorti i saj. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Policia ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve janë ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore, ndërsa rastet po trajtohen nga organet kompetente.
Burimi: RTKLive
