
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka refuzuar importin e mbi 25 tonëve misër dhe ka ndaluar shitjen e një produkti për ushqimin e viçave, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar aflatoksina mbi kufijtë e lejuar.
Sipas njoftimit të AUV-së, produktet i përkasin kompanisë MONUNI SH.P.K. nga Gjilani.
Gjatë kontrollit kufitar të një ngarkese prej 25 mijë e 120 kilogramësh misër, analizat kanë zbuluar aflatoksinë B1 në nivel prej 30 mikrogramësh për kilogram, ndërsa analizat e IKSHPK-së kanë konfirmuar aflatoksina totale prej 47 mikrogramësh për kilogram, mbi vlerën referente prej 10 mikrogramësh.
Për këtë arsye, Inspektorati Fitosanitar ka refuzuar importin dhe ka urdhëruar kthimin e ngarkesës në vendin e origjinës.
Ndërkaq, gjatë inspektimeve në kompaninë MONUNI, aflatoksinë B1 mbi nivelin e lejuar është konstatuar edhe në produktin “Ushqim për viça deri 300 kg”. AUV ka ndaluar shitjen dhe ka urdhëruar tërheqjen e këtij produkti nga tregu.
Aflatoksina B1 është substancë toksike e prodhuar nga disa lloje myqesh dhe mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë, si dhe të rrisë rrezikun e kancerit gjatë ekspozimit afatgjatë. Te kafshët qumështore, ajo mund të kalojë në qumësht në formën e aflatoksinës M1.
AUV ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet dhe analizat laboratorike për të parandaluar qarkullimin e produkteve që nuk i plotësojnë standardet e sigurisë ushqimore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali