Nën presionin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, presidenti amerikan Donald Trump mund të ndërmarrë sulme bërthamore ndaj Iranit këtë javë, ka paralajmëruar komentatori konservator Tucker Carlson.
Carlson, dikur mik dhe tani kritik i Trumpit, deklaroi të dielën në platformën X se Netanyahu i ka bërë presion Trumpit që të rifillojë luftën amerikano-izraelite kundër Iranit.
Ai pretendoi se ka gjasa që Trumpi të sulmojë objektin nëntokësor iranian në “Malin Pickaxe” (Pickaxe Mountain), pranë Natanzit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Sipas Carlson, pas rezultateve të zgjedhjeve të javës së kaluar, Netanyahu e ka kuptuar se mbijetesa e tij politike varet nga rifillimi i luftës.
Ai pohoi se Netanyahu nuk mund të formojë qeveri nëse Trumpi nuk ndërhyn drejtpërdrejt në favor të tij.
Edhe pse Shtetet e Bashkuara kanë sulmuar më parë objektet bërthamore iraniane në Natanz, Fordow dhe Isfahan, ato ende nuk e kanë vënë në shënjestër “Malin Pickaxe”.
Ky objekt ndodhet thellë brenda një mali — më thellë se objekti në Fordow — dhe është jashtë rrezes së veprimit të shumicës së armëve konvencionale.
Trumpi më herët ka lënë të kuptohet se sulmet ndaj këtij vendndodhjeje janë një mundësi reale.
Por analistët thonë se mbi këtë objekt ndodhen të paktën 100 metra shkëmb mali.
Pavarësisht pretendimit të Carlsonit, Trumpi më parë e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore kundër Iranit.
Në vend të kësaj, ai ka sugjeruar përdorimin e “Nënës së të Gjitha Bombave”.
“Nuk do të përdorja armë bërthamore. Nuk kemi pse. Ne jemi fuqia më e madhe bërthamore në botë”, tha Trump në fillim të këtij muaji.
Carlson pretendoi se aleatët e Netanyahut brenda administratës, si Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, si dhe komandanti i Komandës Qendrore, Admirali Brad Cooper, po lobojnë në favor të tij; gjithashtu, Sekretari i Shtetit Marco Rubio thuhet se e mbështet idenë e sulmeve bërthamore ndaj Iranit.
“Asnjë armë konvencionale në arsenalin amerikan nuk mund të depërtojë nëpër rreth 90 metra granit të fortë për të shkatërruar tunelet ku, siç pretendohet, po kryhet pasurimi. I vetmi opsion ushtarak është një sulm bërthamor. Netanyahu ka bërë presion të fortë për këtë. ‘Bibi e telefonon Trumpin çdo ditë për këtë çështje,’thotë një vëzhgues i mirinformuar”, u shpreh Carlson. /Telegrafi/