Në këtë tryezë po marrin pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe profesionistë shëndetësorë.
Kryeministri Albin Kurti tha se, përtej mesazhit ndërgjegjësues të Tetorit Rozë, synohet të nxitet një kulturë e kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin publik.
“Ky është një angazhim i përbashkët, i cili kërkon edhe vazhdimësi, por edhe përgjegjësi nga të gjithë ne. Detyra jonë është të shkurtojmë distancën mes shqetësimit dhe kontrollit. Mes diagnozës dhe trajtimit. Mes gruas që kërkon ndihmë dhe institucionit që i përgjigjet asaj”, deklaroi Kurti.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se po përmbyllen aktivitetet e muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, me synimin që vëmendja dhe angazhimi të vazhdojnë edhe pas tetorit.
“Tani, ne kemi planin e veprimit për skriningun e kancerit të gjirit, plan i cili ka filluar të implementohet. Ashtu siç e kemi cekur disa herë gjatë kësaj fushate, në vitin e kaluar 53.4% e grave janë diagnostikuar në stadin e parë dhe të dytë të kancerit të gjirit. Sipas informacioneve të institucioneve shëndetësore, deri më tani kjo përqindje pritet të jetë edhe më e lartë në vitin që po përmbyllim. E synimi ynë është që kjo përqindje të rritet akoma, sepse zbulimi i hershëm është mënyra më e mirë, më pak traumatike dhe më e lirë për mposhtjen e kësaj sëmundjeje. Kjo nënkupton ofrimin e diagnostikimit në të gjithë territorin e Kosovës, me pajisje dhe mundësi për secilin pacient. Natyrisht, vetëkontrolli dhe lajmërimi i hershëm te mjeku janë çelësi i suksesit dhe i diagnostikimit të hershëm”, theksoi Vitia.
Përmes kësaj tryeze synohet të vazhdojë angazhimi edhe pas fushatës së Tetorit Rozë, duke vënë në pah rëndësinë e kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin, ndërgjegjësimit, parandalimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Burimi: RTKLive
