​Gjendja në shkolla cilësohet alarmante, kërkohet pakt nacional në arsim

​Gjendja në shkolla cilësohet alarmante, kërkohet pakt nacional në arsim

Written by

in

Financimi i pamjaftueshëm, sfidat në zbatimin e kurrikulës, cilësia e mësimdhënies dhe ndërlidhja e shkollimit me tregun e punës janë ndër shqetësimet kryesore të ngritura gjatë tryezës së Komisionit parlamentar për Arsim ku u diskutua për sfidat dhe prioritetet e arsimit parauniversitar.

Përderisa përfaqësuesit institucionalë kërkojnë bashkëpunim më të gjerë për përmirësimin e sistemit, ekspertët vlerësojnë se gjendja është alarmante dhe kërkon një pakt nacional për arsimin, raporton KosovaPress.

Në diskutimin që u mbajt të hënën, zëvendësministri i Arsimit, Përparim Kryeziu, theksoi se strategjia arsimore duhet të trajtohet si përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, komunave, shkollave, shoqërisë civile dhe prindërve.

Ai bëri të ditur se mësimi tërëditor aktualisht zbatohet vetëm në Prishtinë dhe Kamenicë, ndërsa zgjerimi i tij kërkon përgatitje infrastrukturore dhe përshtatje të kurrikulës.

“Aktualisht janë dy komuna që po e zbatojnë këtë politikë. Është komuna e Prishtinës dhe e Kamenicës. Ne duhet të sigurohemi që t’i marrim mësimet prej këtyre dy komunave, në mënyrë që të mos i bëjmë gabimet e njëjta. Gabime të tjera mund të bëjmë, por të njëjtat s’kemi nevojë. Dhe, për këtë, padyshim që do të kemi komunikim dhe bashkëpunim me komunat, dhe pastaj nëse kemi bashkëpunim me komunat, që arsimi tërëditor është mënyra më e mirë e organizimit në shkolla, atëherë në duhet të flasim edhe për infrastrukturën por edhe herë në duhet të flasim edhe për infrastrukturën por edhe kurrikulën që e mbështet një politikë të tillë… Ne tashmë jemi duke punuar në hartimin e një protokolli të ndërtimit të shkollave, të cilit duhet t’i binden të gjitha investimet e reja, krijimit apo adaptimit në infrastrukturën ekzistuese”, tha Kryeziu.

Duke folur për arsimin profesional, ai njoftoi se aktualisht ekzistojnë 16 profile të arsimit dual dhe se pritet të shtohen të tjera. Kryeziu kërkoi bashkëpunim më të ngushtë me bizneset, në mënyrë që shkollat profesionale t’u përgjigjen nevojave të tregut të punës.

“Na duhet bashkëpunim më i afërt me sektorin privat, për shkak se ata janë, si të themi, dera e parë e pranimit dhe adresa e parë e tregut të punës, dhe investimet në shkolla duhet të bëhen në atë drejtim që shkollat sa më shumë t’iu ngjajnë ndërmarrjeve e më pak shkollave konvencionale të cilat i njohim ne”, u shpreh ai.

Megjithatë, drejtori i Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani, paralajmëroi se zgjerimi i mësimit tërëditor paraqet sfidë serioze financiare për komunat, veçanërisht sa i përket punësimit të mësimdhënësve.

“E para është çështja e financimit, buxheti. Konsideroj se ka nevojë për një adreism të qartë në raport me rrethanat aktuale. Kur e përmendim këtu. E para është në lidhje me rekrutimin e mësimdhënësve, veçanërisht kur shkojmë drejt rrugës së mësimit tërëditor, që është e papërballueshme për secilën komunë dhe secilin drejtor”, u shspreh ai.

Drejtori i ETEA-s, Agon Ahmeti, ka kërkuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse që tejkalon interesat politike, duke paralajmëruar se situata kërkon ndërhyrje urgjente.

Ai ka përmendur edhe studimet sipas të cilave 85 për qind e nxënësve nuk e kanë të zhvilluar mendimin kritik.

“Ka ardhë koha që ta shpallim një pakt nacional për arsimin, që i tejkalon interesat e ngushta qoftë partiake apo çfarëdo grupacioni tjetër i cili ka pushtet… Situata në arsim është urgjente. Më jepet përshtypja se edhe shpallja si prioritet qeveritar nuk mjafton. Gjendjen e kemi alarmante, nëse iu beosjmë këtyre studimeve. Nuk e di që Kosova e ka një vizion se çfarë qyteti don me pasë”, tha Ahmeti.

Edhe kryetari i Komisionit për Arsim dhe Shkencë, Enver Hoxhaj, vlerësoi se Kosova po përballet me një krizë të vazhdueshme. Përgatitja e mësimdhënësve, zbatimi i kurrikulës dhe rezultatet në testin ndërkombëtar PISA ishin disa nga çwshtjet qw Hoxhaj vuri nw theks.

“Arsimi është në një situatë krize permanente dhe të vazhdueshme, në sukseset dhe sfidat të cilat e përcjellin fushën tonë të arsimit, me reforma dhe debate të cilat do të duhet të ndodhin në fushën e arsimit… E di që nuk ka pasur debat të mirëfillt për strategjinë 2021-2026 dhe sa është zbatu, cili do të duhej të jetë bilanci… Ajo se çfarë ndodh në shkollat tona varet shumë prej asaj se kush është mësuesi në klasë, nga ajo se sa është i përgatitur mësuesi në klasë, nga ajo se sa paguhet mësimdhënësi në klasë, dhe ajo çka ndodh me procesin mësimor.

Ngjashëm është një debat permanent sa i përket zbatimit të korrikulimit të ri, që është prej më modernëve. Ende ballafaqohemi me një mësimdhënie ku shumë të rinj më shumë mësojnë përmendësh sesa që marrin shkathtësi nga ky korrikulum. Debat i gjerë është çështja e PISA-s, e cila jo pse është vlerësim i jashtëm por i shpërfaq në mënyrë serioze problemet në fushën e arsimit, sikurse çështja e teksteve shkollore, që është një çështje permanente e deri te tema e ndërlidhjes së arsimit në tregun e punës. E deri te çështja e Këshillit të prindërve”, tha ai.

Në anën tjetër, Osman Buleshkaj nga Instituti Pedagogjik i Kosovës ngriti shqetësimin për mënyrën e shpërndarjes së buxhetit arsimor, duke theksuar se pjesa dërrmuese e mjeteve shpenzohet për paga, ndërsa investimet për përmirësimin e mësimdhënies mbeten sfidë.

“E kemi një hendek ndërmjet politikave të hartuara dhe zbatimit konkret në klasë. Çështjen e arsimit veç e përmendëm, 80 për qind e buxhetit shkon për paga. Si mund të presim përmirësim në nivel klase kur 80 për qind shkon për paga në sistemin e arsimit. Pra, nevoja për një sistem më efikas të arsimit është imediate para çdo vendimi që do të merr Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës”, tha ai.

Edhe nga folësit që folën në vijim, doli në pah nevoja për koordinim më të madh ndërinstitucional, financim të qëndrueshëm dhe reforma që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e mësimit, përtej hartimit të strategjive dhe politikave arsimore. /kp/