Zbulohen prapaskenat e fshehura dhe dokumentet sekrete të vrasjes së Luigj Gurakuqit

Written by

in

Vrasja e një prej figurave më emblematike të historisë kombëtare, Luigj Gurakuqit, për një shekull ka mbetur e mbështjellë me enigma, dilema dhe heshtje historike. Megjithatë, një dritë e re po i jepet këtij ngjarjeje tronditëse përmes emisionit „Dosja Historike“ me autore Agnesa Hasanaj, i cili sjell në vëmendje hulumtime dhe dokumente të reja arkivore të zbuluara nga studiuesi Skender Asani në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë në Romë, Arkivin Shtetëror të Barit dhe Arkivin Shtetëror të Kroacisë.

Në këtë edicion të veçantë, përmes intervistave me personalitete të shquara të fushës si Prof. Dr. Romeo Gurakuqi, akademiku Frashër Demaj dhe Skender Asani, hidhet dritë mbi rrethanat e sakta të atentatit politik që tronditi shqiptarët e kohës.

Dokumentet që rrëfejnë atentatin e 2 marsit 1925

Materialet arkivore të zbuluara së fundmi dëshmojnë detaje tronditëse për orët e fundit të jetës së Gurakuqit dhe identitetin e autorëve. Sipas një telegrami zyrtar të kohës (Ministria e Punëve të Jashtme në Tiranë, 1925), jepet ky informacion mbi ngjarjen:

„Djembrema ora 20 e 45 Luigj Gurakuqi esht assassinue preje nenshtetasit shqyptare Baltion Stamolla nga Shkrodra. Stop. E ministri ndodhesh ne darke ne restorantin Cavour me kapiten Haki Korcen, amgjelin Sumen, Dan Hasanin. Stop. Kuer del ne porta restorantit assassini ndrron tsa fjale me Gtrakuqin e pa tjeter tri krisme etre pluma ne gjoks e hjedhin dekun per dhee. Stop…“

Dokumentet e zbuluara po ashtu zbardhin se atentatori, i cili u paraqit si anarkist individualist, kishte deklaruar se vrasjen e kishte bërë për arsye që nuk donte t’i parashtronte, ndërsa në xhepat e tij u gjetën 470 lireta dhe një pasaportë e dhënë në Shkodër më 20 shkurt.

Alarmi ndërkombëtar dhe gjurmët e sigurisë në rajon

Dokumentet e gjetura në arkivat e huaja dëshmojnë gjithashtu se lëvizjet e autorëve dhe rreziqet ndaj emigrantëve shqiptarë ndiqeshin me shqetësim të madh edhe nga strukturat e sigurisë së shteteve fqinje.

Një dokument zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Beogradit, drejtuar autoriteteve në Zagreb më 24 shkurt 1926, paralajmëronte për lëvizjet e mundshme të personave të lidhur me ngjarjen, duke kërkuar masa të rrepta kontrolli dhe vëzhgimi për të mbrojtur sigurinë e emigrantëve shqiptarë në territorin e tyre.

Emisioni „Dosja Historike“ transmetohet çdo të diel në orën 21:10 në RTV Dukagjini.

Më poshtë mund të ndiqni emisionin e plotë:

Burimi: Dukagjini