Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 270 milionë eurosh dhe investime kapitale prej mbi 1 miliard eurosh.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë prezantimit të projektbuxhetit në mbledhjen e Qeverisë, tha se për herë të parë të hyrat buxhetore pritet të kalojnë 4 miliardë euro, ndërsa Bruto Produkti Vendor të arrijë në 13.4 miliardë euro.
“Ky është një buxhet që po e sjellim para jush me optimizëm dhe me besim, sepse ai mbështetet mbi një ekonomi që rritet, mbi një treg pune që po zgjerohet dhe mbi financa publike të shëndosha”, tha Murati.
Sipas tij, shpenzimet totale të buxhetit do të jenë 7.5 për qind më të larta se në vitin paraprak.
Në kategorinë e pagave dhe shtesave janë paraparë 1 miliard e 85 milionë euro, që përfaqëson rritje prej 10.7 për qind. Kjo shumë përfshin edhe pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik, si dhe rritjen e vlerës së koeficientit të pagës nga 110 në 120 euro, duke filluar nga 1 korriku 2027.
“ Në paga dhe shtesa do të shkojë shuma prej 1 miliard e 85 milionë eurove, që përfaqëson një rritje prej 10.7%, duke përfshirë pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik, si dhe rritjen e vlerës së koeficientit të pagës nga 110 në 120 euro duke filluar nga data 1 korrik 2027”, deklaroi Murati.
Për mallra dhe shërbime janë ndarë 588.6 milionë euro, ndërsa për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, apo 6.5 për qind më shumë se në vitin paraprak. Kjo kategori përfshin rritjen e shtesave për fëmijë dhe të numrit në disa kategori të pensioneve.
Investimet kapitale për vitin 2027 janë paraparë në vlerë prej 1 miliard e 70 milionë eurosh.
“Investimet kapitale për herë të parë pra do të shënojnë vlerën mbi 1 miliard euro në buxhet, konkretisht 1 miliard e 70 milionë euro, që përbën një rritje prej 7.2% apo rreth 8% e Bruto Produktit Vendas”, tha ministri.
Murati bëri të ditur se prioritet në buxhetim do të jenë sektorët e mbrojtjes, sigurisë, shëndetësisë, infrastrukturës rrugore dhe klimës së të bërit biznes.
Sa i përket projeksioneve ekonomike, ai tha se rritja reale ekonomike për vitin 2027 pritet të jetë 4.2 për qind, ndërsa për vitin 2028 parashihet 4.5 për qind dhe për vitin 2029 4.6 për qind.
Ministri bëri të ditur se deficiti buxhetor për vitin 2027 parashihet të jetë 266 milionë euro, apo 2 për qind e Bruto Produktit Vendor.
“Rritja e lehtë e huamarrjes në asnjë mënyrë pra nuk parashikon që të rrezikojë qëndrueshmërinë e borxhit publik, i cili falë disiplinës fiskale pritet të jetë përsëri pra brenda nivelit prej 20% të Bruto Produktit Vendas, shumë që është dukshëm nën kufirin prej 40% që e parashikon ligji në fuqi”, tha Murati.
Pas prezantimit dhe pa diskutime nga anëtarët e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti hodhi në votim projektbuxhetin, i cili u miratua pa vota kundër dhe pa abstenime.
Burimi: RTKLive
