Kurti premton rritje të mbështetjes për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Kurti premton rritje të mbështetjes për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Written by

in

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar rritjen e mbështetjes financiare për ekipet mbrojtëse të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Hagë.

Gjatë prezantimit të buxhetit për vitin 2027, në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh, Kurti tha se është paraparë rritja e kësaj mbështetjeje, në përputhje me kërkesën e paraqitur nga ekipet mbrojtëse.

“Me këtë buxhet është paraparë edhe rritja e mbështetjes për ekipet mbrojtëse të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, sipas kërkesës së parashtruar nga ekipet mbrojtëse”, deklaroi Kurti.

Ai bëri të ditur se Qeveria e Kosovës është në pritje edhe të strategjisë së Grupit Punues për çështjen e Apelit lidhur me ish-krerët e UÇK-së.

Kreu i Qeverisë njoftoi gjithashtu se buxheti për vitin 2027 parasheh pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik, si dhe rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga 1 korriku i vitit të ardhshëm.

“Pra, në pjesën e parë të vitit paga e 13-të, kurse në pjesën e dytë të vitit rritje e pagës për të gjithë nëpunësit që marrin pagë nga buxheti”, tha Kurti.

Një tjetër masë e përfshirë në buxhet është rritja graduale e shtesave për fëmijë. Sipas Kurtit, ato do të rriten me nga 25 për qind çdo vit, duke filluar nga janari i vitit 2027 dhe deri në janar të vitit 2030.

“Me nga 25% çdo vit mbi shumën aktuale. Nga janari i vitit 2027 shtesat për fëmijë rriten 25%, pastaj edhe në janar të vitit 2028, 25%, në janar 2029, 25% dhe në janar 2030, 25%”, deklaroi ai.

Kurti theksoi se për herë të parë buxheti parasheh më shumë se një miliard euro për investime kapitale.

Në mesin e projekteve të përmendura janë Unaza e Jashtme e Prishtinës, segmenti rrugor Duhël–Banullë, që sipas tij do të lidhë dy autostradat, si dhe Autoudha e Dukagjinit dhe projekte të tjera të rrugëve rajonale e nacionale.

Po ashtu, ai tha se janë paraparë mjete për ndërtimin e digave dhe masa për mbrojtjen e mjedisit, përfshirë krijimin e një sistemi të ri për grumbullimin dhe klasifikimin e mbeturinave. /Telegrafi/