Trump përsërit premtimin për t’u dhënë 5 mijë dollarë çdo amerikani nëse republikanët fitojnë zgjedhjet e mesmandatit

Trump përsërit premtimin për t’u dhënë 5 mijë dollarë çdo amerikani nëse republikanët fitojnë zgjedhjet e mesmandatit

Written by

in

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përsëritur premtimin se do t’i japë nga 5 mijë dollarë çdo të rrituri në SHBA, nëse Partia Republikane fiton zgjedhjet e mesmandatit.

Gjatë një fjalimi në Washington, D.C., Trump deklaroi se pagesa do të bëhej në rast të fitores së republikanëve, duke theksuar se paratë do të duhej të shpenzoheshin brenda Shteteve të Bashkuara.

“Nëse i fitojmë zgjedhjet, të gjithë do të marrin 5 mijë dollarë. Por paratë duhet t’i shpenzoni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai, transmeton Telegrafi.

Trump gjithashtu akuzoi demokratët se po përpiqen ta pengojnë këtë nismë, duke shtuar se Kongresi amerikan nuk do të lejojë që ajo të dështojë.

Premtimi i presidentit ka ngjallur polemika dhe është kritikuar nga kundërshtarët, të cilët e kanë cilësuar si një përpjekje për të ndikuar te votuesit përmes përfitimeve financiare. Ai gjithashtu tregon rëndësinë që Trump po i kushton zgjedhjeve të mesmandatit.

Megjithatë, ende nuk është e qartë se si Shtëpia e Bardhë do ta financonte një premtim të tillë. Sipas vlerësimeve, pagesat për të gjithë të rriturit amerikanë do të kushtonin rreth 1.35 trilionë dollarë, shumë që përbën afërsisht 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të SHBA-së.

Propozimi do të përballej edhe me pengesa në Kongres, të ngjashme me ato të nismës së mëparshme të Trumpit për një rimbursim prej 2 mijë dollarësh nga të ardhurat e tarifave doganore, e cila nuk arriti të sigurojë miratimin e ligjvënësve. /Telegrafi/