
Gazetari Parim Olluri ka kritikuar zhvillimet e fundit në Policinë e Kosovës, duke thënë se reformat në këtë institucion duhet të nisin me largimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Olluri në Pressing ka vlerësuar se zhvillimet aktuale në polici nuk përbëjnë reformë, por, sipas tij, po shfrytëzohen nga pushteti për të larguar zyrtarët që nuk i konsideron të afërt politikisht dhe për t’i zëvendësuar me njerëz të tyre.
“Ajo që po ndodh në Policinë e Kosovës nuk ka të bëjë me reformën. Nëse do të ishte reformë, njeriu i parë që do të duhej të largohej do të ishte Xhelal Sveçla. Nuk mund të bësh reformë kur njeriun që tash e gjashtë vjet është në krye të policisë nuk e ndëshkon”, ka deklaruar Olluri.
Ai ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet rasti i Arlinda Zekajt, duke akuzuar pushtetin se po e shfrytëzon këtë rast për të vendosur njerëzit e tij në pozita dhe për të larguar ata që nuk i kryejnë shërbime politike.
“Me marrë rastin e Arlinda Zekajt dhe me e shfrytëzu në mënyrë kaq të poshtër për t’i vendosur njerëzit e tu dhe për t’i larguar ata që nuk t’i kryejnë punët partiake, është poshtërsi”, ka thënë Olluri.
Burimi: Insajderi