Tri raste të dhunës në familje janë raportuar në rajonin e Pejës dhe në Klinë, ku viktima kanë qenë gra kosovare.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti i parë është regjistruar më 1 nëntor, rreth orës 14:00, në Pejë. Një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një person. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor.
Një tjetër rast është raportuar po në Pejë, të njëjtën ditë, rreth orës 15:55. Në këtë rast, një person është arrestuar nën dyshimin për kanosje dhe ushtrim të dhunës ndaj një gruaje.
Nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, më 2 nëntor, rreth orës 14:45, një rast i dhunës në familje është raportuar edhe në Klinë. I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Të tri rastet janë raportuar nga Policia e Kosovës dhe po trajtohen nga organet kompetente. /Telegrafi/