Shtëpia i shkrumbohet në Izbicë, 75-vjeçari e merr lajmin nga fqinji – 20 mijë euro dëme, mbetet enigmë si shpërtheu zjarri

Shtëpia i shkrumbohet në Izbicë, 75-vjeçari e merr lajmin nga fqinji – 20 mijë euro dëme, mbetet enigmë si shpërtheu zjarri

Written by

in

Shtëpia i shkrumbohet në Izbicë, 75-vjeçari e merr lajmin nga fqinji – 20 mijë euro dëme, mbetet enigmë si shpërtheu zjarri

Një telefonatë nga fqinji i ka sjellë lajmin e rëndë një 75-vjeçari nga Skenderaj: shtëpia e tij në fshatin Izbicë ishte përfshirë nga flakët. Zjarri kishte dëmtuar kulmin dhe orenditë e brendshme, ndërsa dëmi, sipas pronarit, arrin në rreth 20 mijë euro. Se çfarë i vuri flakën shtëpisë, ende nuk dihet.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se bëhet fjalë për H.H. 75 vjeçar, i cili më 2 nëntor është paraqitur në Stacionin Policor në Skenderaj, pasi nga një fqinj kishte mësuar për djegien e shtëpisë së tij.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, zjarri kishte rënë më 30 tetor, rreth orës 15:00, në një shtëpi njëkatëshe në fshatin Izbicë.

Objekti ishte i pabanuar, ndërsa flakët kishin përfshirë kulmin dhe kishin dëmtuar orenditë që ndodheshin brenda.

Pronari ka deklaruar se dëmi material arrin në rreth 20 mijë euro, por deri tani nuk dihet nëse shtëpisë i është vënë zjarri apo flakët janë shkaktuar nga ndonjë faktor tjetër.

Pas denoncimit, në vendngjarje kanë dalë njësitë policore, hetuesit dhe forenzika, të cilët kanë këqyrur shtëpinë dhe kanë dokumentuar gjendjen e saj.

Për të zbardhur shkakun e zjarrit, Prokuroria e Shtetit ka urdhëruar angazhimin e ekspertit të zjarreve, i cili pritet të vlerësojë rrethanat në të cilat është përfshirë objekti nga flakët.

Rasti është iniciuar për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa ende nuk është identifikuar ndonjë person i dyshuar.

Hetimet vazhdojnë për të sqaruar se çfarë e shkaktoi zjarrin dhe nëse pas tij qëndron ndonjë veprim i kundërligjshëm.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali