
Edhe në Greqi ka rënë kambana e alarmit për sigurinë kibernetike, pas sulmeve që kanë goditur sistemet e kontrollit të frigoriferëve në supermarkete në vende të tjera të Evropës.
Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike në Athinë ka bërë të ditur se në të gjithë territorin e vendit janë identifikuar më shumë se 300 sisteme industriale të ekspozuara drejtpërdrejt në internet, kryesisht kontrollues të sistemeve të ftohjes komerciale të kompanive Danfoss, Copeland/Dixell dhe Carel.
Bëhet fjalë për pajisje që përdoren për kontrollin në distancë të temperaturës dhe funksionimit të frigoriferëve në supermarkete, magazina, kompani ushqimore dhe ambiente të tjera ku ruajtja e produkteve në temperaturën e duhur është e domosdoshme dhe thelbësore.
Por autoritetet greke kanë sqaruar se fakti që një sistem është i ekspozuar në internet nuk do të thotë automatikisht se ai është sulmuar ose komprometuar. Megjithatë, një konfigurim i tillë mund t’u japë hakerëve mundësinë të ndërhyjnë në funksionimin e pajisjeve.
Alarmi në Greqi u dha pas incidenteve serioze të regjistruara në Evropë.
Prej mëngjesit të sotëm, në mediat greke kanë dalë përfaqësues të kompanive të ndryshme ushqimore, të cilët kanë deklaruar se kanë gjetur frigoriferët e tyre me temperaturë të ndryshuar. Madje, në një prej rasteve, punonjësit e një supermarketi gjetën treguesin e temperaturës së frigoriferëve në 150 gradë. Për fat të mirë, ata e zbuluan këtë në orët e para të mëngjesit, kur temperatura ende ndodhej në 17 gradë.
Padyshim që, siç theksojnë autoritetet greke, bëhet fjalë për frigoriferë modernë të lidhur me internetin, por që në këtë rast është e lehtë të hakohen.
Një sulm i tillë nuk ka të bëjë vetëm me vjedhjen e të dhënave. Nëse hakerët arrijnë të ndryshojnë temperaturat ose parametrat e funksionimit të frigoriferëve, mund të ndërpritet zinxhiri i ftohjes dhe të rrezikohen produktet e mishit, qumështit, ushqimet e ngrira dhe produkte të tjera që kërkojnë ruajtje në temperatura të ulëta të kontrolluara.
Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike u ka kërkuar kompanive greke që këto sisteme të shkëputen menjëherë nga interneti publik, ndërsa kontrolli në distancë të realizohet vetëm përmes lidhjeve të sigurta VPN dhe autentifikimit me disa faktorë.
Gjithashtu, rekomandohet ndryshimi i fjalëkalimeve standarde, instalimi i përditësimeve të sigurisë dhe zëvendësimi i pajisjeve të vjetra që nuk mbështeten më nga prodhuesit.
Rasti tregon se një sulm kibernetik, që deri dje mund të perceptohej vetëm si problem informatik, mund të ketë tashmë pasoja të drejtpërdrejta edhe në zinxhirin ushqimor dhe në sigurinë e konsumatorëve.
Burimi: Insajderi