Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka ngritur shqetësime për atë që e cilëson si instrumentalizim të besimit islam dhe të profecive fetare nga Rusia, me qëllim të legjitimimit të rolit të saj në rendin e ardhshëm gjeopolitik.
Në një shkrim të titulluar “Eskatologjia ruse e islamit”, Fetoshi ka vënë në fokus afërsinë ideologjike ndërmjet Aleksandër Duginit, i njohur si një prej ideologëve të afërt me Kremlinin, dhe teologut islam Imran Hosein.
Sipas Fetoshit, kjo afërsi nuk duhet parë vetëm si dialog ndërfetar, por edhe në kontekstin e interesave gjeopolitike të Rusisë dhe përpjekjeve për ta paraqitur atë si një fuqi me mision të veçantë në rendin e ardhshëm botëror.
“Çka i bashkon ‘trurin e Putinit’, Aleksandër Dugin dhe teologun islam, Imran Hosein?
Afërsia ideologjike si projeksion gjeopolitik, apo përpjekja për ta legjitimuar Rusinë si Katechon (forcën që pengon triumfin e së keqes), duke e përzier eskatologjinë ortodokse me profecitë islame për fundin e Botës.
Në konfliktin aktual gjeopolitik, “dialogu” i tyre ndërfetar, është platformë e strategjisë revizioniste, për ta përceptuar Rusinë si fuqi qendrore në “rendin e ardhshëm” Euro-aziatik.
Implikimi strategjik i intervistës së dy sharlatanëve në Tsargrad TV, për operacionalizimin gjeopolitik të profecive që “favorizojnë” Rusinë, kërkon vëmendje edhe ndër ne shqiptarët në Ballkan.
Instrumentalizimi i besimit islam me afërsinë ndaj krishterimit ortodoks dhe interesat ruse si “mision hyjnor”, projekton nxitjen e sentimenteve antiperëndimore, sipas recetës së Duginit për ‘frontin shqiptaro-serb’ kundër elitave globaliste (Gugin në X, 20.10.2026).
Një nga zërat më të fuqishëm që do ta demaskonte reduktimin instrumental të islamit, kryeministrja e Pakistanit, Benazir Buto (Pajtimi: Islami, Demokracia dhe Perëndimi, 2008) është vrarë kaherë, prandaj s’duhet të neglizhohen ‘thurjet’ ortodokso-islame që kamuflojnë qëllimet sovjetike të Putinit”, ka shkruar Fetoshi.
Burimi: Dukagjini