Tre muaj të humbur në oqean, shpëtohen pesë persona, mes tyre dy fëmijë

Tre muaj të humbur në oqean, shpëtohen pesë persona, mes tyre dy fëmijë

Written by

in

Një histori e jashtëzakonshme mbijetese vjen nga Oqeani Paqësor, ku pesë persona, mes tyre dy fëmijë, janë shpëtuar pasi kishin kaluar afro tre muaj të humbur në det.

Grupi ishte nisur më 30 korrik nga ishujt Murilo drejt ishullit Ruo, në Shtetet Federative të Mikronezisë. Udhëtimi, i cili normalisht zgjaste rreth një orë, u kthye në një makth pasi varka e tyre u përball me një stuhi të fuqishme.

Në varkë ndodheshin gjithsej nëntë persona. Pasi ajo nuk u kthye në destinacion, autoritetet nisën një operacion kërkimi që zgjati dhjetë ditë dhe përfshiu një sipërfaqe prej rreth 85 mijë kilometrash katrorë. Megjithatë, kërkimet nuk dhanë rezultat dhe operacioni u ndërpre.

Pas afro tre muajsh në det, pesë të mbijetuarit u pikasën nga banorët e ishullit Fanning, në shtetin ishullor të Kiribatit. Sipas raportimeve, ata kishin përshkuar rreth 5,400 kilometra larg vendit nga ku ishin nisur, raporton Associated Press.

Gjendja e tyre shëndetësore ishte e rënduar. Të pesë personat vuanin nga dehidratimi dhe kequshqyerja e rëndë, ndaj morën menjëherë ndihmë mjekësore dhe trajtim me infuzione. Megjithatë, autoritetet kanë bërë të ditur se ata kanë filluar të shfaqin shenja përmirësimi.

Katër personat e tjerë që ndodheshin në varkë vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur dhe ende nuk dihet se çfarë ka ndodhur me ta.

Guvernatori i shtetit Chuuk në Mikronezi, Alexander Narruhn, ka shprehur mirënjohjen për shpëtimin e pesë personave dhe ka bërë të ditur se kanë nisur bisedimet me autoritetet e Kiribatit për organizimin e kthimit të tyre në atdhe.

Të mbijetuarit ende nuk kanë folur publikisht për përvojën e tyre dhe kanë kërkuar që privatësia e tyre të respektohet.

Rasti ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare për shkak të kohëzgjatjes së jashtëzakonshme të mbijetesës në det dhe distancës së madhe që grupi ka përshkuar në një varkë të vogël.

Burimi: Dukagjini