Sistemi i regjistrimit të bizneseve me mangësi, auditimi nxjerr 16 rekomandime

Sistemi i regjistrimit të bizneseve me mangësi, auditimi nxjerr 16 rekomandime

Written by

in

Rezultatet e auditimit tregojnë se sistemi mbështet në masë të konsiderueshme proceset bazë, por ka nevojë për përmirësime në automatizimin e proceseve, kontrollet e aplikacionit dhe sigurinë e informacionit.

Në kontrollet e hyrjes sistemi nuk siguron në tërësi validimin automatik të të dhënave dhe zbatimin e kërkesave ligjore e biznesore. Mungesa e disa kontrolleve të automatizuara, përfshirë kriteret për dallueshmërinë e emrit të biznesit, krijon nevojën për verifikime manuale dhe mund të ndikojë në efikasitetin dhe kohën e ofrimit të shërbimeve.

Sipas njoftimit, në kontrollet dalëse, auditimi ka evidentuar kufizime në raportim, analiza dhe statistika, si dhe në funksionalitetet për korrigjimin e lëndëve. Gjithashtu, proceset e regjistrimit, ndryshimit dhe çregjistrimit nuk janë plotësisht të digjitalizuara dhe vazhdojnë të mbështeten pjesërisht në dokumentacion fizik dhe procedura manuale, për shkak të kufizimeve ligjore, mungesës së disa funksionaliteteve dhe integrimeve ndërinstitucionale.

“Sa i përket sigurisë së aplikacionit, megjithëse janë në funksion masa teknike për menaxhimin e ndryshimeve dhe kopjet rezervë, mungojnë politika dhe procedura të formalizuara për menaxhimin e sigurisë dhe vazhdimësinë e shërbimeve. Dobësitë në menaxhimin e fjalëkalimeve, menaxhimin e ndryshimeve, ndarjen e roleve kritike dhe procedurat për rikthim nga fatkeqësitë paraqesin rreziqe për sigurinë dhe vazhdimësinë e shërbimeve”, thuhet në komunikatë.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se Sistemi i Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës ka kontribuar në standardizimin e proceseve, centralizimin e informatave dhe lehtësimin e ndërveprimit ndërmjet ARBK-së, komunave dhe qytetarëve, megjithatë kontrollet e implementuara nuk sigurojnë në tërësi nivelin e nevojshëm të automatizimit, validimit, raportimit dhe sigurisë së informacionit.

Për adresimin e këtyre çështjeve dhe avancimin e mëtejshëm të funksionalitetit, automatizimit dhe sigurisë së Sistemit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 16 rekomandime për Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përkatësisht Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), e cila administron sistemin. /Telegrafi/