Teksa qytetarët amerikanë po votojnë, inflacioni dhe kostoja e jetesës pritet të jenë ndër shqetësimet kryesore të shumë prej tyre.
Sipas një sondazhi të YouGov, të realizuar në fund të tetorit, 32 për qind e amerikanëve e renditën inflacionin dhe çmimet si çështjen më të rëndësishme, ndërsa 13 për qind përmendën vendet e punës dhe ekonominë, transmeton Telegrafi.
Një tjetër sondazh i YouGov, i realizuar në mesin e tetorit, zbuloi se më shumë se gjysma e amerikanëve besojnë se lufta me Iranin po e dëmton ekonominë e SHBA-së “në masë të madhe”.
Konflikti, i cili nisi në shkurt me sulmet amerikane ndaj Iranit, shkaktoi rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës në tregjet botërore. Kjo, nga ana tjetër, ndikoi në shtrenjtimin e benzinës për konsumatorët amerikanë.
Megjithatë, çmimet e disa produkteve ushqimore bazë, si vezët, kanë shënuar rënie. Presidenti Donald Trump i ka përmendur disa herë këto ulje çmimesh si dëshmi të përpjekjeve të administratës së tij për të lehtësuar barrën e kostos së jetesës për amerikanët.
Ndërsa rezultatet e zgjedhjeve pritet të publikohen gjatë ditës, ato do të japin një pasqyrë më të qartë nëse votuesit synojnë ta ndëshkojnë presidentin dhe partinë e tij për presionet ekonomike, apo nëse kanë rezerva edhe ndaj aftësisë së demokratëve për ta menaxhuar më mirë ekonominë. /Telegrafi/