
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se janë identifikuar edhe tre persona të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, pas pranimit të raporteve të reja të ADN-së.
Bëhet fjalë për Adem (Fazli) Ademin, Fatmir (Bajram) Fazliun dhe Ali (Islam) Halitin, të cilët ishin pjesë e Grupit të Intelektualëve.
Kurti ka bërë të ditur se identifikimi i tyre është realizuar pas analizave të ADN-së nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë.
Sipas tij, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, bashkë me institucionet përkatëse, tashmë i ka njoftuar familjet e tre personave.
Ata ishin rrëmbyer nga forcat e armatosura serbe në prill të vitit 1999 dhe ishin zhdukur me dhunë.
“Ndajmë dhimbjen me familjet dhe u shprehim ngushëllimet më të sinqerta”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar edhe drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës.
Burimi: Insajderi