Thatësirat prekin disa zona të Zvicrës, bëhet thirrje për grumbullim dhe kursim të ujit

Thatësirat prekin disa zona të Zvicrës, bëhet thirrje për grumbullim dhe kursim të ujit

Written by

in

Komuna e Domleschg, në kantonin Graubünden, ka paralajmëruar për mungesë të ujit në zonat Feldis dhe Scheid, pasi burimet e ujit kanë shënuar rënie të vazhdueshme që nga mesi i qershorit.

Sipas komunës, nëse rrjedha e burimeve vazhdon të bjerë me të njëjtin ritëm, furnizimi me ujë në Scheid mund të mos jetë më i mjaftueshëm nga mesi i dhjetorit, ndërsa në Feldis situata kritike mund të paraqitet që në fillim të nëntorit.

Për këtë arsye, komuna ka vendosur masa të menjëhershme për kursimin e ujit.

Ndalohet mbushja dhe rimbushja e pishinave, ujitja e hapësirave të gjelbra, si dhe larja e automjeteve, verandave dhe sipërfaqeve të ngjashme, shkruan Waston, transmeton Telegrafi.

Banorëve u është kërkuar gjithashtu të bëjnë dushe të shkurtra në vend të banjove, të përdorin programet e kursimit të ujit në tualete dhe të vënë në punë lavatriçet dhe lavastoviljet vetëm kur janë plot.

Komuna këshillon që frutat dhe perimet të lahen në një enë, ndërsa uji i përdorur të shfrytëzohet për ujitjen e bimëve ose për shkarkimin e tualetit.

Autoritetet u rekomandojnë familjeve të mbajnë në shtëpi rezervë ujë të pijshëm për të paktën tri ditë, në rast të ndonjë emergjence ose ndërprerjeje të papritur të furnizimit./Telegrafi/