Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, me të cilin ka diskutuar për finalizimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Sç bën të ditur Zyra e Kryeministrit, në takim është diskutuar edhe dorëzimi formal i aplikimit te Këshilli Evropian i Pagesave (EPC), pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, njofton Dukagjini.
Guvernatori Ismaili e ka njoftuar Kurtin se sektori financiar në vend është stabil dhe se BQK-ja ka qëndrueshmëri financiare.
Po ashtu, është diskutuar për reformat në forcimin e mbikëqyrjes financiare, modernizimin e infrastrukturës dhe përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian.
Një tjetër temë e diskutimit ishte zhvillimi i sistemit të pagesave të shpejta, TIPS Clone, i cili, krahas anëtarësimit në SEPA, pritet të kontribuojë në uljen e kostove të transaksioneve dhe rritjen e efikasitetit të pagesave.
Në takim është theksuar edhe rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional për zbatimin e reformave dhe përmbushjen e angazhimeve të Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes.
Burimi: Dukagjini
