Vazhdon procesi i identifikimit të personave të zhdukur gjatë luftës

Vazhdon procesi i identifikimit të personave të zhdukur gjatë luftës

Written by

in

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, njofton se pas pranimit të raporteve nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, lidhur me identifikimet e reja, sot së bashku me Institutin për Mjekësi Ligjore dhe Drejtorinë e Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës-Sektorin për Persona të Zhdukur, ka zhvilluar takime me familjarët e viktimave të zhdukjes me dhunë për t’i njoftuar për identifikimet e reja nga mbetjet mortore të zhvarrosura në varret masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Pas identifikimit, javë më parë, të Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Sali Mëziut, në bazë të raporteve të reja të ADN-së dhe vlerësimit të antropologut mjekoligjor, janë identifikuar edhe tri viktima të zhdukjes me dhunë gjatë luftës, që i përkasin rastit të njohur si “Grupi i Intelektualëve” : Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazlija dhe Ali (Islam) Haliti.

Në këto momente të rënda, ndajmë dhimbjen me familjet dhe u shprehim ngushëllimet më të sinqerta.

“Shprehim mirënjohjen për familjet për bashkëpunimin e tyre, si dhe për të gjitha institucionet dhe partnerët për kontributin në këtë proces. Në vijim priten identifikime të tjera, për të cilat do të njoftohen fillimisht familjet përkatëse, duke respektuar të drejtën e tyre për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të rrëmbyer e të zhdukur me dhunë, si dhe çdo kërkesë të drejtë të familjeve. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të gjitha institucionet e angazhuara në këtë proces mbeten të përkushtuara për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës”, njofton Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Burimi: RTKLive