Orban: Refuzova të bëhesha informator i shërbimeve sekrete komuniste

Orban: Refuzova të bëhesha informator i shërbimeve sekrete komuniste

Written by

in

Ish-kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, deklaroi të martën se shërbimet sekrete komuniste kishin tentuar ta rekrutonin si informator gjatë shërbimit ushtarak, por ai kishte refuzuar. Sipas tij, më pas ai dhe familja e tij u vunë nën mbikëqyrje të vazhdueshme.

Orban i bëri këto deklarata në Facebook, ku publikoi edhe dokumente të shërbimeve sekrete nga viti 1982 dhe fundi i viteve ’80, një ditë para hapjes së paralajmëruar të mijëra dosjeve të epokës komuniste.

“Gjatë pjesës së parë të shërbimit tim ushtarak, ata u përpoqën të më rekrutonin, por unë refuzova”, shkroi ai.

Ai shtoi se më vonë ishte bërë objekt i hetimeve sekrete të regjimit, së bashku me bashkëshorten dhe pjesëtarë të tjerë të opozitës. Sipas Orbanit, dokumentet tregojnë se ndaj tyre ishin angazhuar informatorë dhe ishin vendosur pajisje përgjimi në vendet e punës, në shtëpi e madje edhe në dhomat e gjumit.

Deklarata vjen pasi pushteti i tij 16-vjeçar përfundoi në zgjedhjet e prillit, kur partia e qendrës së djathtë Tisza, e udhëhequr nga kryeministri Peter Magyar, fitoi zgjedhjet.

Hungaria pritet të nisë të mërkurën publikimin e dhjetëra mijëra dosjeve të policisë sekrete komuniste në një bazë të dhënash publike online. Hapja e arkivave do t’u mundësojë qytetarëve të kërkojnë të dhëna për informatorët dhe bashkëpunëtorët e ish-shërbimeve të sigurisë shtetërore.

Sipas Reuters, ndonëse regjimi komunist përfundoi në vitin 1989, hapja e plotë e dosjeve u shty për dekada për shkak të mungesës së vullnetit politik nga qeveritë e njëpasnjëshme.

Deri tani, përveç studiuesve, qytetarët mund të kërkonin qasje vetëm në dosjet e tyre ose të familjarëve të ngushtë. Me publikimin online, mundësia e kërkimit do të jetë e hapur për të gjithë.

Në periudhën 1956–1989, në Hungari ishin regjistruar rreth 55 mijë bashkëpunëtorë të fshehtë.

Burimi: Dukagjini