A shkakton kreatina rënien e flokëve? Studimi i ri zbulon çfarë qëndron pas këtij shqetësimi

A shkakton kreatina rënien e flokëve? Studimi i ri zbulon çfarë qëndron pas këtij shqetësimi

Written by

in

Prej vitesh, një studim që tregonte rritjen e hormonit DHT ka nxitur dyshime për ndikimin e kreatinës në flokë. Por kërkimet më të reja shkencore japin një përgjigje tjetër dhe tregojnë cilët faktorë lidhen më shpesh me rënien e tyre

Kreatina është një nga suplementet më të përdorura nga sportistët dhe personat që ushtrojnë aktivitete fizike. Ajo njihet për ndikimin e saj në përmirësimin e forcës muskulore dhe performancës gjatë ushtrimeve intensive.

Megjithatë, prej vitesh qarkullon një pretendim që shqetëson shumë përdorues: a mund të shkaktojë kreatina rënien e flokëve?

Sipas specialistit të mjekësisë naturopatike, dr. Jacob Hill, nga Cleveland Clinic, dëshmitë shkencore të deritanishme nuk e mbështesin këtë lidhje.

Çfarë është kreatina dhe si vepron në organizëm?

Kreatina është një përbërje që prodhohet natyrshëm në organizëm, kryesisht në mëlçi dhe veshka, ndërsa pjesa më e madhe e saj ruhet në muskuj.

Ajo ndihmon në rigjenerimin e shpejtë të energjisë gjatë aktiviteteve fizike intensive dhe afatshkurtra.

Suplementet e kreatinës mund të përmirësojnë forcën, performancën dhe rritjen e masës muskulore kur kombinohen me stërvitje të përshtatshme.

Sipas dr. Jacob Hill, shumica e njerëzve mund ta përdorin kreatinën në mënyrë të sigurt, në doza të përshtatshme, zakonisht 3 deri në 5 gramë në ditë.

Megjithatë, personat me sëmundje kronike të veshkave, sëmundje të mëlçisë ose diabet duhet të këshillohen me mjekun para përdorimit. Kujdes i veçantë kërkohet edhe gjatë shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji, për shkak të të dhënave të kufizuara mbi sigurinë.

Nga lindi dyshimi se kreatina shkakton rënien e flokëve?

Shqetësimi lidhet me një studim shkencor të vitit 2009, në të cilin morën pjesë 20 lojtarë të rinj të ragbit.

Pjesëmarrësit përdorën 25 gramë kreatinë në ditë gjatë javës së parë, ndërsa dy javët pasuese morën nga 5 gramë në ditë.

Pas javës së parë, studiuesit regjistruan një rritje prej 56 për qind të nivelit të dihidrotestosteronit (DHT).

Ky hormon është i lidhur me alopecinë androgjenetike, një nga format më të zakonshme të rënies së flokëve, veçanërisht te meshkujt.

Megjithatë, studimi nuk mati drejtpërdrejt rënien e flokëve dhe nuk vërtetoi se kreatina shkakton tullacëri.

Siç shpjegon Cleveland Clinic, studimi përfshiu një numër shumë të vogël pjesëmarrësish dhe rezultatet e tij nuk janë konfirmuar nga kërkimet e mëvonshme, përcjell Telegrafi.

foto: solovei23

Çfarë zbuloi studimi i vitit 2025?

Një studim klinik i publikuar në vitin 2025 në revistën Journal of the International Society of Sports Nutrition analizoi ndikimin e kreatinës në hormonet androgjene dhe shëndetin e flokëve.

Në studim u përfshinë 45 meshkuj fizikisht aktivë, të moshës 18 deri në 40 vjeç, ndërsa 38 prej tyre e përfunduan periudhën 12-javore.

Një grup përdori 5 gramë kreatinë në ditë, ndërsa grupi tjetër mori placebo.

Studiuesit vlerësuan nivelin e testosteronit, DHT-së, dendësinë e flokëve dhe trashësinë e tyre.

Rezultatet nuk treguan dallime statistikisht domethënëse ndërmjet grupeve në nivelin e DHT-së, dendësinë apo trashësinë e flokëve.

Këto gjetje nuk e mbështesin pretendimin se kreatina shkakton rënie të flokëve. Megjithatë, përfundimet nuk mund të përgjithësohen plotësisht për gratë ose për përdorimin shumëvjeçar, pasi studimi përfshiu vetëm meshkuj dhe zgjati 12 javë.

Cilat janë shkaqet më të zakonshme të rënies së flokëve?

Sipas dr. Hill nga Cleveland Clinic, nëse vëreni rrallim të flokëve, duhet të shqyrtohen disa faktorë të tjerë.

Ndryshimet hormonale. DHT mund të ndikojë në folikulat e flokëve, veçanërisht te personat me ndjeshmëri të trashëguar ndaj këtij hormoni. Ndikim mund të kenë edhe ndryshimet e estrogjenit dhe stresi.

Trashëgimia gjenetike. Alopecia androgjenetike shpesh ka prapavijë familjare. Predispozita mund të trashëgohet si nga ana e nënës, ashtu edhe nga ana e babait.

Medikamentet. Disa antidepresivë, beta-bllokues, antikoagulantë dhe terapi hormonale mund të shoqërohen me rënie të flokëve.

Kujdesi i papërshtatshëm. Zbardhja e shpeshtë, trajtimet agresive kimike dhe përdorimi i tepërt i pajisjeve me temperaturë të lartë mund të dëmtojnë fijet e flokëve.

Problemet shëndetësore. Mungesa e hekurit, çrregullimet e gjëndrës tiroide, mungesat ushqyese dhe disa sëmundje të tjera mund të ndikojnë në ciklin e rritjes së flokëve.

A duhet ndërprerë kreatina nëse fillojnë të bien flokët?

Sipas dr. Hill, ndërprerja e kreatinës nuk ka gjasa ta zgjidhë problemin nëse shkaku i rënies së flokëve është tjetër.

Në vend të ndërprerjes së menjëhershme të suplementit, rekomandohet konsultimi me dermatologun për të përcaktuar shkakun.

Në varësi të diagnozës, mund të nevojiten analiza laboratorike, vlerësim hormonal ose trajtim i posaçëm.

Përfundimi i kërkimeve aktuale është se nuk ka dëshmi bindëse që kreatina, e përdorur në doza të zakonshme, shkakton rënie të flokëve. Megjithatë, kërkimet afatgjata mbeten të nevojshme. /Telegrafi/