PSG ka shënuar fitore të thellë 6:0 në udhëtim ndaj Villarreal, në një ndeshje ku skuadra franceze ka vendosur praktikisht gjithçka që në pjesën e parë.
Joao Neves ka shënuar në minutën e nëntë, ndërsa Desire Doue e ka dyfishuar epërsinë tri minuta më vonë. Senny Mayulu ka realizuar për 3:0 në minutën e trembëdhjetë, kurse Fabian Ruiz ka shënuar golin e katërt në minutën e shtatëmbëdhjetë.
Ruiz ka realizuar edhe golin e tij të dytë personal në minutën e dyzet e nëntë, ndërsa fitoren e thellë të kampionit në fuqi të Evropës e ka vulosur David Boly, i cili ka shënuar në paraqitjen e tij të parë në Ligën e Kampionëve.
Me këtë fitore, PSG barazoi rekordin për serinë më të gjatë pa humbje në garat evropiane për klube nga një skuadër franceze, me katërmbëdhjetë ndeshje radhazi.
Fitore në këtë xhiro ka regjistruar edhe Barcelona, e cila në stadiumin “Camp Nou” e ka mposhtur 3:0 Aston Villa.
Lamine Yamal ka kaluar katalunasit në epërsi në minutën e shtatë, pas një gabimi në pasim të kundërshtarit.
Aston Villa ka pasur disa mundësi për të barazuar, por nuk ka arritur të konkretizojë rastet e krijuara.
Në pjesën e dytë, Barcelona e ka siguruar fitoren me dy gola të tjerë. Raphinha ka shënuar në minutën e pesëdhjetë e dytë, ndërsa braziliani ka realizuar edhe golin e dytë personal në minutën e pesëdhjetë e nëntë, pas asistimit të Joao Cancelo.
Me këtë rezultat, Barcelona i ka dhënë fund serisë prej gjashtë ndeshjeve pa humbje të Aston Villa në fazat e ligës së garave evropiane.
Për Barcelonën, kjo ka qenë edhe ndeshja e parë pa gol të pranuar në nëntëmbëdhjetë paraqitjet e fundit në Ligën e Kampionëve.
Ndërkohë, Bayern Munich ka marrë tri pikë të rëndësishme në udhëtim ndaj Atletico Madrid, duke fituar 2:0.
Pjesa e parë ka përfunduar pa gola, ndërsa bavarezët kanë kaluar në epërsi në minutën e gjashtëdhjetë e pestë me anë të Lennart Karl.
Mesfushori gjerman ka realizuar, duke u bërë futbollisti i katërt më i ri në histori që arrin pesë gola në Ligën e Kampionëve. Para tij në këtë listë janë Lamine Yamal, Kylian Mbappe dhe Raul.
Fitoren e Bayern e ka vulosur Konrad Laimer në minutën e shtatëdhjetë e tetë.
Kjo ka qenë fitorja e parë në histori e Bayern Munich në udhëtim ndaj Atletico Madrid.
Në anën tjetër, skuadra e Diego Simeones i dha fund serisë prej nëntë ndeshjeve pa humbje në të gjitha garat.
REZULTATET E NDESHJEVE:
Burimi: RTKLive
