
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar ashpër pas rezultateve të zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kritikuar televizionin Fox News dhe duke paralajmëruar përdorimin e vetos ndaj nismave të demokratëve.
Përmes një sërë postimesh në rrjetin social Truth Social, Trump ka shprehur pakënaqësinë e tij me rezultatet zgjedhore, duke paralajmëruar se në ditët në vijim do të komentojë më gjerësisht arsyet e fitoreve dhe humbjeve të kandidatëve.
Në njërin prej reagimeve, presidenti amerikan publikoi fotografinë e një kapeleje të kuqe me mbishkrimin “VETO”, duke rikujtuar deklaratën e tij të mëhershme se do të kundërshtonte nismat e demokratëve nëse ata merrnin kontrollin e Kongresit.
Trump nuk i kurseu kritikat as ndaj televizionit Fox News, të cilin e fajësoi për humbjet e republikanëve, duke pretenduar se i ka dhënë vazhdimisht hapësirë kundërshtarëve demokratë.
Ai sulmoi gjithashtu ish-kryetarin e Bashkisë së New Yorkut, Bill de Blasio, pas paraqitjes së tij në Fox News, duke e cilësuar si kryetarin më të keq në historinë e qytetit.
Sipas Trumpit, televizioni ka ndikuar negativisht në rezultatet e republikanëve përmes hapësirës që u ka ofruar përfaqësuesve demokratë.
Reagimet e presidentit amerikan vijnë në një moment tensionesh politike pas zgjedhjeve të mesmandatit, rezultatet e të cilave pritet të ndikojnë në raportet mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit gjatë pjesës së mbetur të mandatit presidencial.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali