
Një 69-vjeçar nga Ferizaj ka përjetuar momente të rënda në shtëpinë e tij, pasi djali, i cili dyshohet se ishte kthyer në gjendje të dehur, fillimisht e kishte ofenduar e më pas e kishte sulmuar fizikisht. Goditja dyshohet se ndodhi pikërisht kur babai kishte vendosur të kërkonte ndihmën e Policisë, ndërsa kërcënimeve, sipas denoncimit, nuk u kishte shpëtuar as nëna e të dyshuarit.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur të martën, më 3 nëntor, rreth orës 05:30, në rrugën “Riza Matoshi” në Ferizaj.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i dyshuari Sh.A. 38 vjeçar ishte kthyer në shtëpi në orët e hershme të mëngjesit, në gjendje të dehur, dhe kishte nisur ta ofendonte babanë e tij, H.A. 69 vjeçar.
Situata është përshkallëzuar kur 69-vjeçari ka vendosur të njoftojë Policinë për sjelljen e të birit.
Në atë moment, sipas denoncimit, djali e ka goditur babanë me kokë në fytyrë, duke e lënduar në pjesën e vetullës së majtë.
Por incidenti nuk ka përfunduar me kaq. I dyshuari pretendohet se ka drejtuar edhe fjalë kërcënuese ndaj të dy prindërve, duke shtuar frikën dhe shqetësimin brenda familjes.
Pas sulmit të raportuar, babai ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe ka marrë trajtim për lëndimet e pësuara.
Rasti është denoncuar rreth orës 06:00, ndërsa pas ndërmarrjes së veprimeve fillestare është njoftuar Prokuroria e Shtetit.
Me vendim të Prokurorisë, 38-vjeçari është ndaluar për 48 orë.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga njësia që trajton rastet e dhunës në familje.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali