
Grabitja e dhunshme e një shtetaseje braziliane në Pejë, për të cilën Gazeta Sinjali raportoi më herët, ka marrë një kthesë të re. Tre të rinj janë arrestuar pas një pune intensive hetimore, ndërsa hollësitë e zbuluara tregojnë se si dyshohet se i kishin ndarë paratë e grabitura. Njëri prej tyre ka deklaruar se me pjesën e tij kishte blerë një varëse “Pandora”, ndërsa te dy të tjerët janë gjetur para të gatshme dhe telefoni i grabitur, tashmë i dëmtuar.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se tre personat e dyshuar, të identifikuar me inicialet L.Q. 19 vjeçar , N.B. 18 vjeçar dhe E.D. 18 vjeçar , janë arrestuar rreth orës 17:30, pas identifikimit të tyre nga hetuesit.
Siç raportoi më herët Sinjali, ngjarja kishte ndodhur më 2 nëntor, rreth orës 01:10, në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Pejë, ku viktimë ishte një shtetase braziliane, 24-vjeçare.
Sipas denoncimit, tre të rinjtë e kishin takuar fillimisht në rrugë dhe i kishin kërkuar numrin e telefonit. Më vonë, njëri prej tyre kishte shkuar në banesën e saj, ndërsa dy të tjerët dyshohet se kishin hyrë me forcë kur gruaja kishte hapur derën.
Viktima kishte raportuar se ishte sulmuar fizikisht dhe se i ishin marrë 800 euro dhe një telefon iPhone 17 Pro Max.
Me pjesën e parave të grabitura, dyshohet se bleu varëse “Pandora”
Hollësitë e reja që ka siguruar Sinjali zbulojnë edhe çfarë ka ndodhur me një pjesë të parave pas grabitjes.
Gjatë intervistimit në praninë e avokatit mbrojtës, njëri prej të dyshuarve ka deklaruar se nga paratë e grabitura i kishin takuar 280 euro.
Ai ka pohuar se 106 euro i kishte shpenzuar për blerjen e një varëseje “Pandora”, ndërsa pjesën tjetër të shumës e kishte shpenzuar.
Por hetuesit kanë arritur të gjejnë edhe sende të tjera që dyshohet se lidhen drejtpërdrejt me grabitjen.
Gjenden para, mbushësi i telefonit dhe iPhone-i i dëmtuar
Te i dyshuari i dytë janë sekuestruar 265 euro para të gatshme, për të cilat dyshohet se janë pjesë e shumës së grabitur.
Po ashtu, atij i është gjetur edhe një mbushës telefoni i markës “Power Up”, që dyshohet se ishte marrë nga banesa e viktimës gjatë grabitjes.
Ndërkaq, te i dyshuari i tretë është gjetur telefoni iPhone 17 Pro Max, ngjyrë hiri, i raportuar si i grabitur, por që tashmë ishte i dëmtuar.
Nga i njëjti janë sekuestruar edhe 190 euro, për të cilat gjithashtu dyshohet se kanë prejardhje nga grabitja.
Tre të arrestuar, të gjithë ndalohen për 48 orë
Pas arrestimit, tre të dyshuarit janë intervistuar në praninë e avokatëve mbrojtës.
Në përfundim të veprimeve fillestare, me vendim të Prokurorisë së Shtetit, ndaj tyre është caktuar ndalimi prej 48 orësh.
Hetimet vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rolin e secilit prej të dyshuarve, si dhe për të dokumentuar të gjitha rrethanat e grabitjes.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali