Pesë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Pesë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Written by

in

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, një rast është regjistruar në Prishtinë, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër kosovare”, thuhet në njoftimin e Policisë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një tjetër rast është raportuar në Ranilluk, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht një person tjetër. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Dy raste të tjera janë raportuar në Gjakovë. Në rastin e parë, të regjistruar dje në orën 21:30, një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga një burrë.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, bëhet e ditur në raportin policor.

Ndërkaq, në rastin e dytë, të raportuar një burrë dyshohet se ka tentuar ta sulmojë dhe e ka kanosur një person tjetër. Policia ka bërë të ditur se nuk raportohet për të lënduar, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor. Rasti është duke u hetuar.

Po ashtu, një rast i dhunës në familje është raportuar edhe në Skenderaj. Një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht një grua, e cila ka pranuar tretman mjekësor.

Sipas Policisë, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar. Rasti do të vazhdojë të trajtohet në procedurë të rregullt.

Burimi: RTKLive