Sipas komunikatës së Prokurorit të Shtetit, ky vendim është marrë me qëllim të rritjes së efikasitetit në punën e prokurorive, zbatimit unik të praktikave dhe respektimit të ligjshmërisë.
Prokurorët e caktuar do të kenë për detyrë të mbikëqyrin menaxhimin dhe efikasitetin e prokurorive përkatëse, si dhe të ofrojnë mbështetje dhe këshillim në zbatimin e udhëzimeve dhe vendimeve të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Po ashtu, përgjegjësitë e tyre përfshijnë monitorimin e trajtimit të lëndëve të vjetra dhe atyre me prioritet, identifikimin e sfidave dhe problematikave institucionale, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të shqyrtimit të detyrueshëm të lëndëve.
Në kuadër të këtyre përgjegjësive, prokurorët e caktuar do të marrin pjesë edhe në kolegjiumet e prokurorive përkatëse.
Megjithatë, sipas komunikatës, mbikëqyrja do të ushtrohet duke respektuar pavarësinë funksionale të prokurorëve.
Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se përmes këtij vendimi synohet forcimi i llogaridhënies dhe transparencës institucionale, si dhe avancimi i koordinimit dhe komunikimit të brendshëm, në funksion të realizimit të prioriteteve dhe objektivave të institucionit.
Burimi: RTKLive
