
Mbi 1 mijë çifte në Kosovë i kanë dhënë fund martesës gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026. Rritja e numrit të shkurorëzimeve po vë në pah sfidat me të cilat po përballen familjet, ndërsa për këtë çështje ka folur edhe avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi.
Ajo thotë se nga përvoja e saj profesionale dhe rastet që trajton në gjykata, ka vërejtur rritje të numrit të çifteve që kërkojnë t’i japin fund martesës.
Gashi-Bytyqi thekson se, ndonëse është për ruajtjen e familjes, në rastet kur martesa shoqërohet me dhunë dhe stres të vazhdueshëm, ndarja mund të jetë zgjidhje më e mirë sesa vazhdimi i një jete të tillë.
“Qysh i shoh shpesh çiftet nëpër gjykata, e shoh që është rritur numri i tyre. Natyrisht, unë jam pro familjes që të jetë e bashkuar, por duke u nisur nga rrethanat e fundit, kur dhuna në familje është rritur dhe është mjaft prezente, në këtë drejtim mendoj dhe bëj apel që çiftet t’i japin fund një martese që nuk shkon, sesa të jetojnë gjithmonë me stresin se duke i shtyrë problemet tutje, një ditë ato mund të shpërthejnë dhe të përfundojnë edhe më keq”, ka deklaruar ajo në emisionin “Ora shtatë” në Klan Kosova.
Avokatja ka folur edhe për ndikimin që konfliktet dhe raportet e tensionuara mes prindërve mund të kenë te fëmijët. Sipas saj, është e rëndësishme që fëmijët të mos rriten në një ambient të mbushur me trauma dhe konflikte familjare.
“Fëmijët gjithmonë janë më të lumtur nëse rriten me dy prindërit, megjithatë traumat që ua sjellin prindërit dhe raportet e tyre shpesh u lënë pasoja edhe në jetën e tyre, për shkak se ata janë në formim të personalitetit. Mirë është që po i zgjedhin rrugët e gjykatës dhe po i shkëputin këto raporte”, është shprehur Gashi-Bytyqi.
Një tjetër problem që ajo e ka ngritur lidhet me kontaktin e fëmijëve me prindin tjetër pas ndarjes. Sipas saj, në praktikën gjyqësore hasen raste kur njëri prind pengon kontaktin e fëmijës me prindin tjetër, pavarësisht vendimeve dhe të drejtave të përcaktuara.
“Problem hasim në praktikë, këtë e kam edhe unë, që një klientit tim, përkundër faktit që ai është burrë, nuk i jepet mundësia, nuk e lejon nëna që ta kontaktojë fëmijën me babanë. Këto janë probleme mjaft serioze”, ka theksuar avokatja.
Gashi-Bytyqi ka bërë apel që vendimet e gjykatave të respektohen dhe të zbatohen nga të gjitha palët, duke paralajmëruar se moszbatimi i tyre mund të sjellë edhe pasoja juridike në aspektin penal.
“Shfrytëzoj rastin që ta kuptojnë të gjitha kategoritë se vendimet e gjykatës, çfarëdo qofshin ato, duhet të zbatohen. Përndryshe, prej kësaj pjese të kontesteve familjare, çështja kalon në pjesën e lëmisë penale, për arsye se bie ndesh me ligjin”, ka përfunduar ajo./Klankosova.tv