Futbollisti i FC Andorra, Hugo Solozabal, ka reaguar pas ngjarjes tragjike që tronditi futbollin spanjoll, duke shprehur ngushëllime për familjen dhe miqtë e Jesus de Miguelit, i cili ndërroi jetë të martën, në moshën 30-vjeçare.
Në të njëjtën kohë, Solozabal ka dalë në mbështetje të bashkëlojtarit të tij, portierit Jesus Owono, i cili ishte i përfshirë në përplasjen me De Miguelin gjatë ndeshjes së së hënës.
Portieri nga Guinea Ekuatoriale pati një kontakt të fortë me sulmuesin në fushë, ndërsa ky i fundit më pas pësoi arrest kardiak.
Pavarësisht përpjekjeve mjekësore, De Miguel nuk arriti t’i mbijetonte kësaj ngjarjeje dhe vdiq një ditë më vonë.
Përmes një reagimi publik, Solozabal ka treguar se si kjo ngjarje ka ndikuar emocionalisht te Owono, duke kërkuar që të kuptohet se përplasja ishte një incident i paqëllimshëm.
“Dua të them disa fjalë për shokun tim të skuadrës, portierin dhe mikun tim, i cili është prekur thellë nga ajo që ka ndodhur. Ata që e njohin, e dinë se çfarë njeriu është, sa shumë po vuan në këto momente dhe se ai nuk do t’i shkaktonte kurrë dëm dikujt me qëllim”, ka shkruar Solozabal.
Ngjarja ka shkaktuar pikëllim të madh në futbollin spanjoll dhe ka sjellë reagime të shumta nga futbollistë, klube dhe personalitete të sportit, në nderim të De Miguelit. /Telegrafi/