
Një 18-vjeçar, i identifikuar si Klevis Paplekaj është arrestuar në Lezhë, pasi dyshohet se shpërndante lëndë narkotike Cannabis Sativa në doza, kryesisht në afërsi të shkollave. Gjatë operacionit të koduar “Impuls”, policia sekuestroi 83 doza droge, të cilat dyshohet se ishin përgatitur për shitje, si dhe një celular.
Finalizohet operacioni i koduar “Impuls”, goditet një rast i shitjes së lëndës narkotike Cannabis Sativa në doza, kryesisht në afërsi të shkollave. Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 18-vjeçari që kryente këtë veprimtari kriminale. Sekuestrohen 83 doza të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe celulari i të arrestuarit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Mbështetjes Operacionale për Hetimin, të DVP Lezhë, në zbatim të planit operacional “Shkolla të pastra”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Impuls”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi K. P., 18 vjeç, banues në Ishull Lezhë.
Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, ku gjatë kontrollit fizik iu gjetën doza të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, gati për shitje. Në vijim, gjatë kontrollit në banesë iu gjetën doza të tjera të kësaj lënde, gati për shitje.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas shiste doza të lëndës narkotike Cannabis Sativa në qytetin e Lezhës, kryesisht në afërsi të shkollave. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan në total 83 doza të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 1 celular. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Burimi: Insajderi