
Pesë mjekë kishin trajtuar pacientë dhe kishin dhënë anestezion në një spital privat në Prishtinë, pa qenë të regjistruar për të punuar në atë institucion. Në dosjet e disa pacientëve mungonte edhe historiku i tyre shëndetësor.
Këto shkelje janë evidentuar nga Inspektorati Shëndetësor gjatë një kontrolli në “Spitalin Kllokoqi”. Për to, spitali është gjobitur me 3 mijë euro.
Sipas vendimit zyrtar që e ka siguruar Insajderi, bëhet fjalë për spitalin special me seli në rrugën “Isa Kastrati”, në lagjen Matiçan të Prishtinës. Themelues i këtij institucioni është Dr. Agim Kllokoqi.
Kontrolli dhe gjetjet e inspektorëve
Inspektimi ishte i planifikuar dhe kishte për qëllim verifikimin e zbatimit të udhëzimeve administrative në këtë institucion shëndetësor.
Ndonëse spitali kishte licencë të rregullt pune, inspektorët konstatuan parregullsi në angazhimin e personelit mjekësor.
Sipas vendimit, në sistemin elektronik të Departamentit për Licencim dhe Akreditim (DLA), pesë mjekë nuk figuronin të regjistruar për ushtrimin e veprimtarisë në këtë spital.
“Sa i përket kuadrit profesional, shërbim shëndetësor ofrojnë personeli Dr. Ingerta Sahiti, Dr. Mentor Alimusaj, Dr. Albina Likaj-Imeri, Dr. Norë Markaj, Dr. Besnik Deliu, si persona të paautorizuar në këtë institucion bazuar në sistemin elektronik të DLA-së (Departamenti për Licencim dhe Akreditim)”, thuhet në arsyetimin e vendimit të siguruar nga Insajderi.
Inspektorati nuk është mbështetur vetëm në mungesën e emrave të tyre në sistem. Në dokumentacionin e kontrolluar janë gjetur edhe dëshmi se këta mjekë kishin ofruar shërbime shëndetësore.
Sipas vendimit, ata kishin dhënë anestezion dhe kishin trajtuar pacientë. Kjo ishte evidentuar përmes fletëve të anestezionit dhe dosjeve mjekësore me numrat e protokollit 01/26, 03/26 dhe 04/26.
Në dosjet e pacientëve mungonte anamneza
Gjatë kontrollit, inspektorët kanë evidentuar edhe një tjetër parregullsi që lidhet drejtpërdrejt me dokumentimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve.
Në disa dosje mungonte anamneza mjekësore, përfshirë edhe dosjen me numër 06/26.
Anamneza përmban historikun shëndetësor të pacientit. Ajo përfshin të dhënat për sëmundjet e mëparshme, trajtimet, alergjitë dhe gjendjen shëndetësore. Këto informacione janë të rëndësishme për mjekët para se të vendosin për trajtimin apo ndërhyrjen që duhet t’i bëhet pacientit.
Mungesa e këtij dokumentacioni nënkupton se dosja nuk përmbante të gjitha të dhënat e nevojshme për vlerësimin e historikut mjekësor të pacientit.
Spitali gjobitet me 3 mijë euro
Për këto shkelje, Inspektorati Shëndetësor i ka shqiptuar “Spitalit Kllokoqi” gjobë prej 3 mijë eurosh.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se institucioni nuk i kishte përmbushur kushtet ligjore sa i përket kuadrit profesional dhe nuk kishte zbatuar masat e urdhëruara nga inspektorët.
Megjithatë, ligji parasheh mundësinë që gjoba të paguhet në gjysmën e shumës nëse pagesa kryhet brenda afatit prej 15 ditësh. Në këtë rast, spitali do të paguante 1 mijë e 500 euro.
Për këto gjetje, Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarime nga drejtuesit e “Spitalit Kllokoqi”.
Ata janë pyetur se si e shpjegojnë angazhimin e pesë mjekëve që, sipas Inspektoratit, nuk ishin të regjistruar në sistemin e DLA-së për të punuar në këtë institucion.
Po ashtu, Insajderi ka kërkuar përgjigje se përse në dosjet e pacientëve mungonte anamneza mjekësore dhe nëse spitali i kishte zbatuar masat e kërkuara nga Inspektorati.
Institucioni është pyetur edhe nëse e ka paguar gjobën apo ka vendosur ta ankimojë vendimin.
Deri në publikimin e këtij artikulli, “Spitali Kllokoqi” nuk ka kthyer përgjigje.
Lexo edhe:
Burimi: Insajderi