
Një person që përfitonte ndihmë sociale në Austri ka mbetur pa këtë përkrahje financiare, pasi autoritetet në qytetin e Welsit zbuluan se ai kishte një shtëpi në Kosovë dhe merrte pension atje, pa i deklaruar këto tek institucionet austriake.
Rasti është bërë publik nga Komuna e Welsit, në një njoftim zyrtar të publikuar më 2 nëntor, ku janë paraqitur rezultatet e kontrolleve ndaj personave që përfitojnë ndihmë sociale.
Sipas autoriteteve lokale, dyshimet për këtë rast lindën pasi zyrtarët komunalë kishin shkuar disa herë për kontroll në banesën e përfituesit në Austri, por nuk e kishin gjetur aty.
Pas verifikimeve të mëtejshme, u konstatua se ai kishte në pronësi një shtëpi në Kosovë dhe përfitonte pension atje, ndërkohë që merrte edhe ndihmë sociale në Austri.
Si pasojë, autoritetet vendosën t’ia ndërpresin ndihmën sociale dhe ta raportojnë rastin tek organet përkatëse.
Përveç kësaj, atij iu kërkua kthimi i afro 9 mijë eurove të përfituara nga ndihma sociale. Sipas njoftimit, kjo shumë tashmë është shlyer përmes pagesave me këste.
Komuna e Welsit ka bërë të ditur se deri në fund të shtatorit të këtij viti ka realizuar gjithsej 97 kontrolle në banesat e përfituesve të ndihmës sociale.
Kontrollet janë kryer në mënyrë të rastësishme, por edhe pas informatave të pranuara nga persona të tjerë. Gjatë tyre, zyrtarët verifikojnë adresat e banimit, pasurinë e deklaruar, të ardhurat dhe qëndrimet e gjata jashtë Austrisë.
Një rast tjetër i evidentuar gjatë këtyre kontrolleve lidhet me një përfitues që, sipas autoriteteve, qëndronte për javë të tëra në Turqi. Pas zbulimit, ndihma sociale iu rillogarit në mënyrë retroaktive, ndërsa rasti u raportua tek organet përkatëse.
Kryetari i Welsit, Andreas Rabl, ka thënë se institucionet kanë përgjegjësi që ndihmat sociale të përdoren në mënyrë të drejtë dhe sipas qëllimit për të cilin ndahen.
“Ne i ndihmojmë të gjithë ata që vërtet kanë nevojë për mbështetje, ndërsa keqpërdorimin e ndihmave sociale e ndalim”, ka deklaruar Rabl.
Sipas Komunës, qëllimi i kontrolleve është që ndihma sociale të shkojë tek personat që i plotësojnë kushtet ligjore për përfitimin e saj.
Burimi: Sinjali