
Zvicra njoftoi se do të mbulojë shpenzimet mjekësore për viktimat italiane të zjarrit në Crans-Montana, duke u tërhequr nga kërkesa e saj fillestare për rimbursim nga Roma -një kërkesë që kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e kishte cilësuar si “të turpshme”.
41 persona humbën jetën dhe 115 të tjerë u plagosën kur një zjarr përfshiu një lokal të mbushur plot gjatë festimeve të Vitit të Ri në vendpushimin zviceran të skive, Crans-Montana. 12 viktima italiane morën trajtim mjekësor në Zvicër gjatë javëve të para të vitit 2026, përpara se të transferoheshin në spitale në Itali.
Meloni e mirëpriti vendimin e Zvicrës për të mbuluar shpenzimet mjekësore në vlerë prej 1,5 milionë frangash zvicerane (1,9 milionë dollarë).
“Jam e kënaqur me këtë zgjidhje: asnjë barrë nuk do të rëndojë mbi familjet apo mbi Italinë”, deklaroi Meloni, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.
“Mendimet e mia shkojnë, edhe një herë, për familjet e viktimave dhe të të rinjve të plagosur, të cilët po përballen me një dhimbje të jashtëzakonshme me dinjitet dhe forcë të rrallë”, shtoi ajo.
Sipas një marrëveshjeje midis Zvicrës dhe Bashkimit Evropian, shtetet zakonisht mbulojnë shpenzimet për qytetarët e tyre të siguruar kur këta të fundit marrin trajtim mjekësor jashtë vendit, transmeton Klankosova.tv.
Një pacient i siguruar në Zvicër është trajtuar në Itali.
“Qeveria zvicerane është e vetëdijshme për vuajtjet e pamatshme që rëndojnë mbi familjet e viktimave dhe mbi të gjithë ata që janë prekur nga kjo ngjarje”, thuhet në njoftim.
“Vendimi për të hequr dorë nga kërkesa për rimbursimin e shpenzimeve të trajtimit është në përputhje me parimin e reciprocitetit dhe përcjell një mesazh se Zvicra e njeh solidaritetin që i është treguar asaj”, shtohet më tej, duke iu referuar ndihmës së marrë nga Italia dhe vende të tjera.