Ndonëse bën pjesë në dhjetëshen e zgjerimit, Kosova edhe në paketën e sivjetme nuk ka pozitë të barabartë me vendet e tjera të grupit. Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE ende nuk është shqyrtuar. Në raportin e sivjetëm vetëm përsëritet gatishmëria e Komisionit për të përgatitur opinionin. Megjithatë, këtë herë u tërhoq vërejtja se lëvizjet rreth Speciales mund të shndërrohen në pengesë për aspiratat evropiane të Kosovës.
“Por për t’i bindur shtetet anëtare, Kosovës i duhen institucione të qëndrueshme, të cilat tani do t’i ketë, dhe përparim në reforma. Sa më i fortë të jetë bilanci i Kosovës në reforma, aq më e fortë do të jetë edhe mbështetja për të në vazhdim. Tani, me qeverinë e re, shpresoj që vendi të ketë mundësinë të ecë përpara. Megjithatë, amendamentet për Dhomat e Specializuara të Kosovës rrezikojnë ta minojnë çdo përparim. Për këto amendamente jemi tashmë në dialog me qeverinë e Kosovës”, deklaroi Marta Kos.
Raporti i sivjetëm për Kosovën konstaton ngecje në reformat kyçe. Ndër të tjera, në sundimin e ligjit përmendet përparim i kufizuar. Në funksionimin e gjyqësorit nuk ka asnjë përparim dhe ai vazhdon të jetë nën ndikim politik dhe ekonomik. Lufta kundër korrupsionit ka dhënë rezultate të kufizuara. Pak më mirë qëndron vendi në luftën kundër krimit të organizuar, ku është shënuar njëfarë përparimi. Sipas dokumentit, fragmentimi politik ka dobësuar funksionimin e institucioneve dhe ka penguar reformat.
Njësoj si në vitet e mëparshme, u konfirmua sërish se dialogu mbetet ndër kriteret kyçe për përparimin drejt Brukselit. Ka hyrë në vitin e katërt që kur nuk është mbajtur asnjë takim në nivel liderësh.
“Në Kosovë, për një vit nuk kemi pasur një qeveri që funksionon realisht dhe institucione në vend, dhe kjo e ka penguar takimin trepalësh. Ndërkohë, në Serbi u mbajtën zgjedhje dhe duhet të shohim që të formohet qeveria. Por mund t’ju siguroj se jam e gatshme të angazhohem dhe do të angazhohem me ta, siç kam bërë me autoritetet deri tani, që ky proces të ecë vërtet përpara. Sepse është e vërtetë se kjo është e domosdoshme që të dyja të përparojnë në rrugën e zgjerimit”, deklaroi Kaja Kallas.
Raporti kritikon veprimet e njëanshme të Kosovës në veri. Serbinë e akuzon se ka shkelur detyrimet e dialogut, duke lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Përparim i kufizuar është shënuar edhe në lirinë e shprehjes. Raporti kritikon gjuhën e ashpër të zyrtarëve qeveritarë ndaj gazetarëve.
Sa i përket transmetuesit publik, nënvizohet se RTK-ja është në krizë të thellë financiare dhe theksohet nevoja për miratimin e ligjit të ri, që do t’i siguronte financim të qëndrueshëm.
Burimi: RTKLive
