
Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në qytetin e Elbasanit, ku një zjarr ka përfshirë një banesë në katin e tretë të një pallati në lagjen “Qemal Stafa”, duke shkaktuar një viktimë dhe 10 persona të lënduar.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, zjarri ka rënë rreth orës 14:45, në rrethana ende të paqarta, në banesën e shtetasit H. I.
Si pasojë e ngjarjes, ka humbur jetën një 82-vjeçare, H. B., e cila banonte në të njëjtin pallat, ndërsa 10 banorë të tjerë kanë mbetur të dëmtuar dhe janë nën kujdesin e mjekëve.
Pas shpërthimit dhe përhapjes së zjarrit, është bërë evakuimi i banorëve të ndërtesës, ndërsa në vendngjarje kanë intervenuar ekipet e zjarrfikësve dhe emergjencës.
Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po kryen veprimet hetimore për të sqaruar dhe dokumentuar rrethanat e rastit, përfshirë shkakun e zjarrit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali