Senatori i fuqishëm republikan, Cruz: Kjo nuk është një valë e kaltër, por cunami

Senatori i fuqishëm republikan, Cruz: Kjo nuk është një valë e kaltër, por cunami

Written by

in

Senatori republikan pranon përmasat e humbjes dhe paralajmëron se partia mund të humbasë deri në dhjetë vende në Senat. Çmimet e larta, tarifat doganore dhe pakënaqësia ndaj politikave të Trumpit po rëndojnë pozitën e republikanëve.

Senatori republikan Ted Cruz ka dhënë alarmin për gjendjen e Partisë Republikane pas humbjeve të thella zgjedhore në Teksas, duke e cilësuar rezultatin si një “cunami blu” dhe një refuzim politik të përmasave historike.

“Ky nuk ishte vetëm një valë blu, por një cunami blu”, deklaroi Cruz, duke krahasuar situatën me reagimin elektoral që republikanët përjetuan pas skandalit Watergate.

Në një paraqitje në podkastin e tij Verdict with Ted Cruz, senatori pranoi se demokratët kanë shënuar fitore të rëndësishme, duke ndryshuar ndjeshëm balancën politike në një prej bastioneve tradicionale të republikanëve.

“Unë jam i vetmi republikan i zgjedhur në nivel shtetëror që ka mbetur në Teksas. Kurrë nuk kam menduar se do të më duhej ta thoja këtë”, u shpreh ai.

Çmimet e larta dhe politikat e Trumpit në qendër të kritikave

Cruz identifikoi koston e lartë të jetesës si një prej arsyeve kryesore të pakënaqësisë së votuesve. Ai përmendi shtrenjtimin e ushqimeve, karburanteve, sigurimeve dhe shpenzimeve të tjera të përditshme.

Por kritikat e tij u drejtuan edhe ndaj disa politikave të presidentit Donald Trump.

Sipas Cruz, tarifat doganore kanë kontribuar në rritjen e çmimeve të produkteve, ndërsa konflikti me Iranin po zgjat më shumë sesa duhet.

Këto deklarata tregojnë se pakënaqësia ndaj politikave të administratës Trump po shfaqet edhe brenda vetë kampit republikan.

Republikanët po humbin bazën tradicionale të votuesve

Një tjetër shqetësim i madh për Cruz është humbja e mbështetjes nga kategori të rëndësishme të elektoratit, përfshirë punëtorët, të krishterët ungjillorë, banorët e zonave rurale, të rinjtë dhe amerikanët me origjinë hispanike.

Ai theksoi se problemi nuk ishte mungesa e pjesëmarrjes në zgjedhje, por fakti se shumë votues, përfshirë republikanë dhe të pavarur, nuk i mbështetën kandidatët e partisë.

Cruz paralajmëroi se republikanët mund të humbasin nga tetë deri në dhjetë vende në Senat, pasi të përfundojë procesi i numërimit të votave.

“Ne do të rindërtohemi si një parti e vërtetë e punëtorëve”, deklaroi ai, duke bërë thirrje për rikthimin e mbështetjes së elektoratit tradicional.

Humbjet në Teksas dhe deklaratat kritike të Cruzit janë një sinjal shqetësues për republikanët, të cilët përballen me sfidën e ruajtjes së mbështetjes politike dhe të përgatitjes për betejat e ardhshme elektorale. /Telegrafi/