Kryetari i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, Zenun Krasniqi, u ka bërë thirrje të rinjve që ta ndërtojnë suksesin përmes punës së vazhdueshme dhe korrektësisë, duke theksuar se rezultatet afatgjata kërkojnë kohë dhe përkushtim.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi, Krasniqi foli për përvojën e tij në sipërmarrje dhe pritjet e të rinjve për të arritur shpejt sukses.
“Të rinjtë po mendojnë se duhet të arrijnë shumë shpejt te suksesi. Unë po u them se ndoshta merr pak kohë, por është afatgjatë”, u shpreh ai, shkruan Telegrafi.
Sipas Krasniqit, korrektësia në punë është një tipar i përbashkët i sipërmarrësve të suksesshëm që ka njohur gjatë rrugëtimit të tij.
“Ata që i njoh unë që janë të suksesshëm, janë ata që kanë qenë shumë korrektë dhe kanë punuar korrekt”, tha Krasniqi.
Ai theksoi se përkushtimi duhet të jetë i njëjtë pavarësisht punës që bën një person, duke e lidhur përparimin profesional me angazhimin e përditshëm.
“Atë punë që e bën, pa marrë parasysh çfarë pune është, jep maksimumin. Ata që i njoh unë që janë të suksesshëm, janë ata që kanë qenë shumë korrektë dhe kanë punua”, deklaroi ai.
Duke folur për prioritetet personale, Krasniqi tha se në qendër të angazhimit të tij kanë qenë puna, suksesi dhe respekti, ndërsa rezultatet financiare i sheh të lidhura me cilësinë e punës.
“E jep maksimumin për ta kryer atë punë, atëherë edhe financiarisht e ke suksesin”, u shpreh ai.
– YouTube www.youtube.com
Krasniqi i inkurajoi të rinjtë që t’i shohin mundësitë për zhvillim edhe në Kosovë, veçanërisht në një kohë kur digjitalizimi po krijon hapësira të reja për punë.
“Mos ta anashkalojmë Kosovën ose ta nënvlerësojmë. Edhe këtu ka mundësi të mëdha për të arritur suksese”, theksoi ai
Mesazhin për të rinjtë e përmblodhi me një thirrje për angazhim dhe sjellje korrekte në raport me punën dhe të tjerët.
“Punoni, punoni, punoni dhe qëndroni korrektë”, porositi Krasniqi. /Telegrafi/.