
Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varri i Astrit Deharit, në 10-vjetorin e vdekjes së tij.
“10 vjet pa Astritin janë shumë. Janë tepër shumë për familjen, për Vetëvendosjen, për të gjithë ne që e njohëm e bashkëpunuam me të, por janë shumë edhe për Republikën e Kosovës dhe mbarë shqiptarët, sepse mungon e vërteta për mbytjen e tij dhe drejtësisë për të. 10 vjet më vonë, ne nuk e dimë emrin e vrasësit të Astritit. Pesë prokurorë janë ndërruar në rastin e tij”, tha Kurti.
Ai kritikoi qasjen institucionale pak pas vdekjes së tij, duke thënë se të gjithë u nxituan të japin konstatime mbi rastin e tij, duke mos kërkuar llogari për vrasësin e tij.
“Astriti ka qenë punëtor i madh, të cilit i ka folur puna. Ai ka qenë student i pandalshëm, sepse studionte edhe përtej lëmisë së tij. Por, në të njëjtin kohë, edhe një djalë i ri, që edhe ne më të vjetër se ai, mësonim shumë nga ai. Prandaj na mungon shumë dhe nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për të. Jemi më shumë se të gatshëm e të vullnetshëm për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet për të zbardhur rastin e vdekjes së tij”, shtoi Kurti.
Burimi: Insajderi