
Një avion i kompanisë ajrore Aer Lingus, që po operonte fluturimin nga Dublini drejt Romës, është detyruar të devijojë drejt një baze ajrore në Normandi të Francës, pas një kërcënimi me bombë.
Lajmi është bërë i ditur nga zyra e kryeministrit francez, Sébastien Le Cornu, e cila ka njoftuar se avioni i tipit Airbus A320 është ulur në mënyrë të sigurt në bazën ajrore Evreux.
Në aeroplan ndodheshin gjithsej 157 persona, përfshirë 151 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit.
Sipas raportimeve, avioni ndryshoi drejtim gjatë fluturimit pranë Parisit dhe kreu disa manovra mbi zonën e Evreux-it, pasi shpalli gjendje emergjente.
Zyra e kryeministrit francez ka bërë të ditur se po e monitoron nga afër situatën. Ndërkohë, në bazën ajrore janë vendosur njësitë për çaktivizimin e bombave, ndërsa pasagjerët janë transferuar në një vend të sigurt.
Ky incident vjen një ditë pasi të paktën shtatë fluturime dhe një anije turistike në Evropë morën kërcënime me bombë, duke shkaktuar ndërprerje dhe masa të shtuara sigurie në disa aeroporte dhe porte. Megjithatë, gjatë kontrolleve nuk u gjetën pajisje shpërthyese.
Të martën, një kërcënim i tillë detyroi një aeroplan pasagjerësh që po fluturonte nga Londra të bënte ulje emergjente në Poloni. Ndërsa tri kërcënime të tjera shkaktuan kontrolle ose devijime të fluturimeve nga Mançesteri, Kopenhagë dhe Izraeli.
Po ashtu, shqetësim u shkaktua në portin e Siros, pas një ankese për një pajisje shpërthyese të dyshuar në një anije turistike. Pas kontrollit, megjithatë, nuk u gjet asgjë e dyshimtë.
Deri më tani, nuk është bërë e ditur nëse këto kërcënime kanë ndonjë lidhje mes tyre. Asnjë person apo grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për incidentet.
Ngjarjet kanë shtuar shqetësimet për kërcënimet hibride ndaj infrastrukturës në Evropë, në një kohë kur tensionet e sigurisë mbeten të larta pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali