FSRTK kërkon zgjidhje nga institucionet për gjendjen financiare të RTK-së

FSRTK kërkon zgjidhje nga institucionet për gjendjen financiare të RTK-së

Written by

in

Federata Sindikale e RTK-së ka reaguar pas publikimit të raportit të progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, duke vlerësuar se gjetjet e tij konfirmojnë gjendjen e rëndë financiare dhe institucionale në të cilën ndodhet transmetuesi publik.

Në një komunikatë për media, kjo federatë sindikale thotë se shqetësimet për gjendjen e RTK-së i ka ngritur vazhdimisht, duke kërkuar zgjidhje nga institucionet përgjegjëse, por sipas saj, deri më tani nuk janë ofruar masa konkrete.

“Raporti evidenton mungesën e një modeli të qëndrueshëm dhe të pavarur të financimit, buxhetin e pamjaftueshëm, borxhet e akumuluara, detyrimet financiare, problemet pronësore dhe paqëndrueshmërinë institucionale. Kjo gjendje nuk mund të vazhdojë pafundësisht dhe as të trajtohet si një problem që mund të zgjidhet me vendime të përkohshme”, thuhet në komunikatën e FSRTK-së.

Përballë kësaj situate, Federata Sindikale e RTK-së kërkon nga Kuvendi, Qeveria dhe institucionet përgjegjëse që të marrin masa të menjëhershme për sigurimin e financimit të qëndrueshëm dhe të pavarur të transmetuesit publik, në përputhje me ligjin në fuqi, si dhe zgjidhjen e borxheve dhe obligimeve financiare.

Ajo kërkon gjithashtu zgjidhjen e çështjeve pronësore, sigurimin e stabilitetit institucional dhe drejtues, si dhe përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave të punëtorëve.

Federata thekson se nuk do të heqë dorë nga kërkesat për paga më dinjitoze, kushte më të mira pune dhe respektim të të drejtave të punëtorëve.

“Kontributi dhe profesionalizmi i punëtorëve duhet të vlerësohen me trajtim dhe kompensim të merituar. Nuk mund të kërkohet përgjegjësi dhe përkushtim nga punëtorët, ndërkohë që të drejtat dhe mirëqenia e tyre mbeten në plan të dytë”, thuhet në reagim.

Në fund, Federata Sindikale u ka bërë thirrje institucioneve që të mos e zvarrisin më tej zgjidhjen e problemeve të RTK-së, duke kërkuar vendime konkrete dhe jo vetëm premtime.

“RTK-ja nuk mund të mbahet peng i neglizhencës institucionale, ndërsa punëtorët nuk mund të vazhdojnë të paguajnë çmimin e kësaj papërgjegjësie”, thuhet në komunikatë.

Federata e përmbyll reagimin me kërkesën që institucionet të marrin përgjegjësi për gjendjen e transmetuesit publik dhe të garantojnë dinjitetin, respektin dhe kompensimin e merituar për punëtorët e RTK-së.

Burimi: RTKLive