Mes skandalit kriminal të Alta Bankës, Koçoska dhe Mickoski po falsifikojnë të dhënat mbi borxhin publik për të fshehur borxhin historik të bandës kriminale, thonë nga partia maqedonase në opozitë, LSDM.
Nga kjo parti thonë se “derisa skandali i Alta Bankës po trondit publikun dhe Mickoski dhe Slaveski po mbahen përgjegjës, ministrat e tij janë në panik dhe po bëjnë gjithçka që munden për ta mbrojtur atë, madje edhe duke falsifikuar të dhënat ekonomike”.
“Ditën që u zbulua skandali i Alta Bankës, Ministrja e Financave Koçoska kreu një akt të ri kriminal me një manipulim të paparë të të dhënave zyrtare të borxhit publik. Koçoska njoftoi se në tremujorin e tretë të këtij viti, borxhi publik u rrit me mbi 300 milionë euro krahasuar me të dytin, dhe tashmë në shtator arriti në 11 miliardë euro”.
“Borxhi publik është rritur, por është ulur magjikisht në përqindje, nga 58.8% e mëparshme në tremujorin e dytë në 56.6% të PBB-së në tremujorin e tretë. Ministria e Financave nuk ka kryer kurrë një falsifikim kaq skandaloz të të dhënave që nga pavarësia, dhe as gjatë kohës së të arratisurit Gruevski”.
“Dje, ajo personalisht konfirmoi publikisht falsifikimin skandaloz me të cilin vendosi pa turp të manipulojë dhe të falsifikojë të dhënat e borxhit publik. Kjo përkon me raportin më të errët të KE-së. Ky veprim kriminal është vetëm konfirmim i kaosit që mbretëron në institucione”, thonë nga LSDM.